Search

Ballkani po bashkohet për ajër të pastër: urgjentisht të mbyllen termocentralet me thëngjill

03 Dhjetor, 2021


Fushata rajonale “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”, synon ndërgjegjësimin e qytetarëve të rajonit për shkaqet dhe pasojat nga ndotja e ajrit, mënyrat e mundshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe luftën për mjedis më të shëndetshëm jetësor nëpërmjet solidaritetit rajonal, përcjell Portalb.mk.

Organizatorët e fushatës, që zbatohet nga Fondi Evropian për Ballkanin dhe mbështetet prej organizatave nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Serbia kërkojnë urgjentisht të mbyllen termocentralet me thëngjill dhe të bëhet harmonizim urgjent i ndotjes nga industria e rëndë me kuadrin e duhur rregullator, si dhe përfshirjen e qytetarëve gjatë marrjes së vendimeve për leje mjedisore dhe dokumentet e tjera që kanë të bëjnë me impiantet e prodhimit.

Importi i energjisë elektrike të prodhuar nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian përbën vetëm 0,3 % të konsumit të energjisë elektrike të BE-së, ndërsa emetimet e dyoksidit të squfurit nga ky prodhim përbëjnë 50 për qind të të gjitha emetimeve të termocentraleve në Union.

Thëngjilli, përveç në industri, përdoret edhe në amvisëri si edhe në ngrohtore, ndaj ndërprerja e përdorimit të kësaj lënde djegëse fosile do të eliminojë burimin kryesor të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor. Humbja e prodhimit të brendshëm bruto, për shkak të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor, vetëm në vitin 2016 arriti në 8,5 miliardë euro.

“Në vend se të ndërtohen dhe rinovohen termocentrale, fondet buxhetore mund të përdoren për programe sociale dhe rikualifikim të punëtorëve, si dhe për ndërtimin e centraleve diellore në vend të minierave të thëngjillit, të cilat do të zëvendësonin kapacitetet për prodhimin e energjisë elektrike. Ashtu, transformimi i industrisë mund të jetë më i blerti në kontinent”, thonë organizatorët e fushatës “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”.