Bajrami flet për monopolin e EFT-së, të dhënat e fshehura nga Qeveria dhe paralajmëron shtrenjtim të energjisë në vitin e ardhshëm
December 10, 2025

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, në një konference për media ka paralajmëruar në vitin 2026 mund të ketë sërish shtrenjtim të energjisë elektrike.
Bajrami theksoi se hajnia më e madhe që po i bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë këtij mandati është hajnia përmes faturave të energjisë elektrike.
“Për shkak të gjeturave dhe fakteve të publikuar këto ditë Lëvizja Vetëvendosje është në panik. Pas dështimit të konferencës të Armend Mujës, e keni pa që doli në konferencë tashmë e vetëquajtura ministre e Ekonomisë, zonja Rizvanolli, e cila nuk ke në gjendje të zbardh asnjë fakt, aq më pak të demantoj ndonjë prej fakteve që këto ditë i kemi shpërfaqur”, tha ajo.
LVV hedh poshtë akuzat lidhur me tregtimin e energjisë elektrike me Serbinë
Bajrami tha se kanë deponuar dëshmitë për keqpërdorimet në sektorin energjetik.
“Zonja Rizvanolli konferencën e nisi duke thënë se asnjë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje ose qeverisë nuk ka lidhje me EFT-në e Vuk Hamoviqit. Ne në fakt lidhjet ja kemi lënë që t’i zbuloj Prokuroria Speciale e Kosovës e cila tashmë ka nisur hetimet dhe të dyja ne kemi deponuar dëshmitë tona sa i përket keqpërdorimeve në sektorin e energjisë elektrike.
Ajo (Rizvanolli) tha se Kosova nuk importon energji elektrike nga EFT-ja e Vuk Hamoviqit. Jo, Kosova në fakt në shumicën e rasteve ka importuar energji nga NOA. Por, Ajo që ne e kemi thënë në bazë të dhënave, shihet qartë se EFT e Vukut në vitet e fundit e ka monopolizuar tregun e kapaciteteve transmetuese të energjisë. E kush i paguan kostot e importit dhe transportit të energjisë, normal se qytetarët përmes faturave. EFT-ja i ka fituar shumicën e ankandeve vjetore, mujore dhe ditore…”, ka thënë nënkryetarja e LDK-së.
Tutje në konferencë u tha se kapacitetet transmetuese dhe çmimet e larta tashmë kanë vëmendjen ndërkombëtare dhe nuk mund të manipulohet më me grafika siç u tha “të gatuara nga partia”, sepse ky rast ka shkuar edhe në komunitetin e energjisë në Vjenë dhe në Zyrën e Rregullatorit në Lublanë dhe tashmë hetimet janë në procedim e tutje.
LDK bëri thirrje që të bëhen publike kontratat lidhur me importin e energjisë dhe të gjitha informacionet lidhur me të.
“Sipas të dhënave shihet qartë se EFT-ja e Vukit viteve të fundit e ka monopolizuar tregun e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike. Zonja Rizvanolli gjithashtu tha se Kosova nuk ka asnjë kontratë me EFT-në, por ajo nuk po tregon se me kë ka kontrata. Andaj ne prej këtu, për të satën herë, bëjmë thirrje që të publikohen kontratat dhe ne të dijmë se prej kujt po blejmë energji, sa po blejmë energji, ku është origjina e energjisë të cilën ne po e importojmë dhe sa po paguan Kosova për kostot e transportit”.Bajrami ndër të tjera theksoi se në vitin 2026 mund të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Duke parë sasinë e importin e energjisë që e kemi bërë në vitin 2025, krejt njerëzit që kuptojnë tregun e energjisë, e kanë tepër të qartë që ne do e kemi një ngritje tjetër potenciale të çmimit të energjisë në vitin 2026, sepse gjithë kjo sasi nuk është paraparë kur është bërë aprovimi i të hyrave maksimale të operatorëve në tregun e energjisë, d.m.th kam dhënë dëshminë time për të cilat unë dyshoj dhe më shumë ka qenë lidhur me të gjitha reagimet që unë kam pas e që janë publike”, tha ajo.
/Telegrafi