12 °C
Search

Akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe shkarkohet kryeshefi i KOSTT

April 25, 2025


Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it, të enjten pasdite ka shkarkuar Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

KOSTT ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a në takimin e mbajtur me 24 prill 2024, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Statutin e kompanisë, ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës të Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT, Evetar Zeqiri.

“Bordi ka emëruar z. Shaban Neziri, zëvendës Kryeshef Ekzekutiv, si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT sh.a, deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Shaban Neziri, me profesion Inxhinier i Elektroteknikës, është pjesë e KOSTT që nga themelimi i saj dhe gëzon një përvojë të gjatë profesionale brenda kompanisë.

Ky veprim erdhi pas dyshimeve që u shpalosën një ditë më parë në emisionin “Debat Plus”, ku u diskutua për disa kompani energjetike me aktivitet të dyshimtë, përfshirë shit-blerjen e energjisë me KEK-un dhe KOSTT-in.

Në emisionin Debat Plus, Ermal Panduri shpalosi dokumentet që lidhen me dyshimet ndaj Evetar Zeqirit, tashmë ish-kryeshef ekzekutiv të KOSTT-it.

Përgjatë emisionit, Panduri theksoi se ish-anëtarët e Bordit të KOSTT-it, të cilët kishin pasur dyshime për keqpërdorimet e mundshme të detyrës nga Zeqiri, kishin dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Speciale ai ka shkelur detyrat e tij financiare dhe ka ndërhyrë në aktivitetet e prokurimit, duke vendosur kritere diskriminuese dhe kërkuar që të gjitha specifikacionet teknike për projektet e KOSTT-it t’i dërgoheshin atij më herët, duke shkaktuar vonesa dhe përplasje me ligjin e prokurimit publik. Gjithashtu, në kallëzim penal thuhet se Zeqiri ka ndikuar në vendimmarrje të jashtëligjshme dhe për jo informimin e duhur të Bordit të Drejtorëve, duke bërë që KOSTT të pësojë dëme financiare.

Një tjetër akuzë është se Zeqiri ka kërkuar që tërhiqen ofertat nga operatorët ekonomikë gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, duke shkelur kornizën ligjore të prokurimit.

“Duke u bazuar në përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Ndërmarrjet Publike 03/L-087, Ligjin për Energjinë Elektrike, Ligjin për Shoqëritë Aksionare dhe Vendimin për Emërim, ne Anëtarët e Bordit të Drejtorëve i drejtohemi Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me dëshmitë në vijim për shkeljet ligjore të Kryeshefit Ekzekutib të KOSTT z. Evetar Zeqiri. Kurdo që jemi vën në dijeni të shkeljeve të bëra nga z.Zeqiri, ne jemi munduar të mbledhim informacione dhe t’i ngrisim si shqetësime në mbledhjet e Bordit. Për të dëshmuar përpjekjet tona për trajtimin e këtyrë veprimeve joligjore të z.Zeqiri si referencë në këtë dosje i keni Procesverbalet përkatëse të Mbledhjeve të Bordit”.

“Për faktin se në mbledhje të Bordit vendimet merren me shumicën e votave dhe ne ishim pakicë krahasuar më pjesën tjetër të anëtareve të Bordit, shqetësimet tona nuk kemi mundur t’i adresojmë. Përveç mungesës së fuqisë së votave, ne në shqetësimet e ngritura kemi hasur në rezistencë nga Kryesuesi i Bordit z. Jeton Mehmeti dhe Kryeshefi Ekzekutiv z.Evetar Zeqiri se informatat që ne po i kërkojmë nuk janë në kompetencë të Bordit të Drejtorëve, mirëpo i takojnë mikromenaxhimit apo kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet në dosjen që është dërguar në Prokurorinë Speciale.

/Dukagjini