Search

Akademikët propozojnë ndërtimin e dy njësive të prodhimit të rrymës me linjit me nga 300 – 350 megavat

October 13, 2020


Të mëkurën, më 7 tetor 2020, në orën 11:00, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u bë paraqitja publike e “Raportit për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë”, i përgatitur nga grupi punues i Seksionit të Shkencave të Natyrës në kuadër të ASHAK-ut, i udhëhequr nga akademik Isuf Krasniqi.

Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari Kraja tha se që një kohë relativisht të gjatë në Kosovë kanë mbetur pezull një sërë pyetjesh, veçmas për qytetarin e zakonshëm, që kanë të bëjnë me prodhimin e energjisë dhe me zhvillimin e vendit.

Me këtë raport, tha Kraja, situata ndryshon esencialisht.

Krasniqi: Thëngjilli paraqet resursin më të rëndësishëm për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë

Pas fjalës së kryetarit Kraja vazhdoi prezentimi i raportit. Akad. Fejzullah Krasniqi e paraqiti pjesën e raportit që ka të bëjë me situatën aktuale dhe burimet për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Në radhë të parë e potencoi përdorimin e qymyrit si lëndë e parë për prodhimin e energjise elektrike në Kosovë.

‘Kjo lëndë e paraqet resursin më të rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike duke ditur se rezervat e tij janë rreth 10.9 miliardë ton të eksploatueshme’, tha akad. Krasniqi gjatë prezantimit, deri sa sqaroi se termocentralet në Kosovë përbëjnë 91.41% të kapacitetit të instaluar ose 94.3% të kapacitetit operativ, dhe pjesa tjetër vjen nga hidrocentralet dhe burimet të ripërtëritshme të energjisë.

‘Pjesa më e madhe pra plotësohet nga energjia e prodhuar në dy TC-të (TC A dhe TC B) dhe një sasi modeste nga burimet e hidrocentraleve dhe të ripërtëritshme’, tha Krasniqi gjatë prezantimit.

Akad. Nexhat Daci foli për ndikimin e termocentraleve në mjedis dhe në shëndetin e njeriut. Ai paraqiti të dhëna në lidhje me substancat e ndryshme të cilat lirohen si pasojë e djegies së thëngjillit në impiantet e TC A dhe B.

ASHAK sugjeron që Qeveria të ndërtojë këto dy njësi të termocentraleve me linjit me financim të mëvetësishëm dhe kredi të buta për një periudhë dhjetëvjeçare

Pas prezantimit të gjendjes së sektorit të energjisë në Kosovë, radha i erdhi prezantimit të rekomandimeve.

Anëtarja korrespondente Myzafere Limani i paraqiti rekomandimet e grupit punues për furnizim të qëndrueshëm të Kosovës me energji elektrike si para kusht i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të saj.

Në lidhje me të ardhmën energjetike të vendit, anëtarët e ASHAK mendojnë se ekzistojnë vetëm dy opsione reale, ai i ndërtimit të njësive të reja të prodhimit të rrymës nga linjiti bashkë me projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe importi i energjisë elektrike.

‘Në vend të ndërtimit të termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 MW (bruto), respektivisht 450 MW (neto) energji elektrike, sugjerojmë që të ndërtohen dy blloqe secila me nga (300 deri 350) MW me etapa të ndërtimit pesëvjeçare. – Etapa e parë (Blloku I) të përfundohet dhe të lëshohet në punë deri në vitin 2025, ndërsa në etapën e dytë (Blloku II) të përfundohet deri në vitin 2030. Të dy blloqet duhet të kenë parametra subkritikë (SC) me efiçiencë rreth 40%’, thuhet në raportin e publikuar nga ASHAK.

Sipas ASHAK, dy njësitë e reja do të zëvendësonin njësitë e vjetra të termocentralit Kosova A dhe do të mundësonin zgjerimin e rrjetit të kogjenerimit, prodhimit të përbashkët të energjisë elektrike dhe energjisë termike, duke përfshirë edhe Obiliqin dhe Fushë-Kosovën në sistem të furnizimit.

‘Futja në punë e blloqeve të reja, krahas rehabilitimit të dy blloqeve të TC Kosova B, do të zëvendësojë prodhimin e energjisë elektrike që prodhohet nga tri blloqet e TC Kosova A, si dhe do të zvogëlojë nevojën për importim të energjisë elektrike’, thuhet në raport.

ASHAK sugjeron që Qeveria të ndërtojë këto dy njësi të termocentraleve me linjit me financim të mëvetësishëm dhe kredi të buta për një periudhë dhjetëvjeçare.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte kundërshtuar nga ambientalistët dhe shoqëria civile.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij është llogaritur të jetë 40 vjet.

Kosova, llogaritet se ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Lexoni raportin e plotë të ASHAK duke klikuar këtu.