Search

A mund të prodhojë Kosova energji elektrike nga gazi?!

August 24, 2020


Kosova aktualisht nuk ka ndonjë infrastrukturë funksionale të importimit dhe distribuimit të gazit, apo edhe treg të tij. Importimi i gazit për prodhim të energjisë elektrike kërkon zgjerim e rrjetit ekzistues transmetues nga vendet fqinje për të mundësuar kyqjen e Kosovës.

Në këtë kontekst, studimet e fundit nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor tregojnë se ndërtimi i një linje të transmetimit të gazit nga Shqipëria në Kosovë do të kushtojë 211 milion euro. Gjysma e shumës do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kyqja eventuale e Kosovës në infrastrukturën e transmetimit të gazit hapë rrugën për zhvillime të reja në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe ndërtimin e termocentralit për prodhimin e energjisë nga gazi.

Termocentralet me gaz, më të lira dhe më pak dëme në mjedis se ato me thëngjill

Ndërtimi i termocentralit nga gazi është rreth pesëfish më pak i kushtueshëm se ndërtimi i të njejtit nga thëngjilli. Sipas studimeve, në botë në vitin 2018, ndërtimi i kapaciteteve prej 1 kilovatësh për prodhim të energjisë nga gazi ka kushtuar mesatarisht 520 mijë euro. Për të njejtat kapacitete por me burim thëngjillin, studimet tregojnë shifra pesëfish më të larta, – 3 milion euro.

Kësisoji, ndërtimi i një termocentrali me burim gazin me kapacitet prej 1000 megavatësh kushton rreth 520 milionë euro, deri sa për të ndërtuar termocentral me të njejtin kapacitet por me burim thëngjillin, kostoja do të ishte rreth 3 miliard euro.

Përveç kostos së ulët të ndërtimit, termocentrali nga gazi sjellë edhe më pak dëme në mjedis, krahasuar me termocentralet nga thëngjilli. Studimet thonë se një termocentral i ri me burim gazin natyror emeton 50 deri në 60 përqind më pak dioksid të karbonit (CO2) krahasuar me emetimet e një termocentrali të ri me thëngjill.

Gazi natyror duhet importuar, kjo mund të ndikojë në tarifat energjetike në vend

Kosova nuk ka rezerva të gazit andaj edhe prodhimi i energjisë nga kjo lëndë nënkupton import të vazhdueshëm të lëndës së parë. Kësisoji, cmimi i energjisë elektrike do të varej edhe nga cmimi i furnizimit me gaz (lëndën e parë).

Rritja e diversitetit të burimeve të energjisë konsiderohet të jetë shumë e rëndësishme për të mundësuar furnizimin e qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike.

Në këtë drejtim, zhvillimi i sektorit të gazit natyror në Kosovë përmes ndërlidhjeve me projekte të tjera të infrastrukturës së gazit në rajon, veçanërisht Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht lidhja me sistemin e gazsjellësit TAP / IAP vlerësohet si një mundësi reale për furnizimin e ardhshëm me gaz natyror dhe sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike.