Search

A është pezulluar vendimi për tregun e hapur? Çfarë ka ndodhur me paditë e dorzuara ndaj ZRRE-së?

June 26, 2025


ZRRE ka njoftuar se pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore dhe ka dhënë përditësime ndaj këtyre padive.

Zyra e Rregullatorit ka thënë se nga të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuara Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues. Mirëpo Gjykata Komerciale ka marrë vendim tjetër.

“Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë, Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit me shenjën KA.nr. 283/25, ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit dhe nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut”, thuhet në njoftim.

Tutje, ZRRE thotë se për më tepër, ky aktvendim nuk është i formës së prerë, pasi ZRRE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.

Më tej, ZRRE thotë se mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik

Dhoma e Tregtisë dhe Odat Ekonomike vazhdojnë të kërkojnë shtyrjen e vendimit – Së fundmi i janë drejtuar dhe kryeministrit Kurti

Oda Ekonomike e Kosovës , në emër të komunitetit të bizneseve dhe të gjitha shoqatave përfaqësuese, i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës shpreh shqetësimin serioz për vendimin e qeverisë për kalimin e kompanive kosovare në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Këtë e ka bërë të ditur vet oda, ku ndër të tjera bëhet e ditur se një vendim i tillë, i zbatuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mekanizma mbrojtës, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe transportit.

“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lirë pa përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do të përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirët furnizues dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në letrën e OEK-ut.

Tutje OEK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të shqyrtojë shtyrjen e këtij vendimi, duke e konsideruar si të domosdoshme një qasje më graduale dhe të koordinuar me sektorin privat.

“Ne, përfaqësuesit e bizneseve në Republikën e Kosovës, besojmë fuqishëm se do të ishte shumë e dobishme që Qeveria e Kosovës të merr si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke ia dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike globale, një fokus i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një qasje e tillë është thelbësor për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet tutje në letër.

Sipas OEK-ut, kjo qasje afatgjatë dhe e koordinuar me sektorin privat do t’i japë bizneseve sigurinë e nevojshme për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt nga njëra anë dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur njëkohësisht qytetarët nga rritja e çmimeve.

/Telegrafi