Search

Mbyllet sukseshëm faza e parë e ankandit të erës: Cilat kompani do të vazhdojnë tutje?

April 22, 2025


Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme, me kualifikimin me sukses të tri kompanive ndërkombëtare për fazën e dytë të ankandit të parë për ndërtimin e një impianti të erës me kapacitet prej 100MW.

Pas lansimit të këtij ankandi, të përkrahur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), më 20 shkurt janë pranuar aplikacione nga tri kompani: Akuo Energy ( kompani franceze), Güriş (kompani turkqe) dhe Konsorciumi Notus/Stublla Energy (kompani nga Gjermani dhe Kosova).

Komisioni vlerësues ka konfirmuar se të tri kompanitë kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tyre në fazën e dytë të procesit – atë të dorëzimit të propozimeve të plota.

Ministria e Ekonomisë njoftoi se në ditët në vijim do të shpallë Kërkesën për Propozime për këto kompani të kualifikuara, një proces që do të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe që do të zhvillohet sipas standardeve më të larta të transparencës.

Gjatë kësaj periudhe do të mbahet konferenca e para-ofertimit me kompanitë e kualifikuara, ku do të prezantohet struktura e projektit dhe marrëveshjet kontraktuale. Më pas do të pasohet me një fazë pyetjesh dhe përgjigjesh, që do t’u mundësojë kompanive të finalizojnë ofertat e tyre.

Vetëm ofertat që i përmbushin të gjitha kërkesat ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale do të kalojnë në fazën finale të vlerësimit financiar. Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit do të jetë çmimi më i ulët për megavat-orë, duke respektuar kufirin e përcaktuar nga rregullatori.

Ky projekt shënon një tjetër hap drejt ndërtimit të një sistemi energjetik modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët, ndërsa përfaqëson përkushtimin institucional për rritjen e burimeve të energjisë së pastër dhe për përfshirjen e investitorëve seriozë përmes proceseve transparente.

/Telegrafi