Search

880 MW projekte të erës janë financuar në Evropën Juglindore vitin e kaluar

09 Maj, 2022


Evropa Juglindore ka mbetur prapa krahasuar me pjesën tjetër të kontinentit sa i përket investimeve në energjinë e erës, thuhet në raportin e fundit të shoqatës WindEurope, të emëruar “Trendet e financimit dhe investimeve: Industria evropiane e erës 2021”.

Edhepse kishte shënuar rritje të investimeve në projekte të erës për vitin 2021, Evropa Juglindore është ende larg qëllimeve të përcaktuara klimatike për vitin 2030, kryesisht për shkak të mungesës së një mjedisi të qëndrueshëm rregullator, ka theksuar shoqata WindEurope në raport.

Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania udhëheqin në listën e projekteve të reja të erës

Gjatë vitit 2021, gjithsej 41 miliardë euro janë investuar në ndërtimin e projekteve të reja të erës në Evropë, me kapacitet të përgjithshëm prej 24.6 gigavatësh (19.8 gigavat projekte të erës në sipërfaqe toksore dhe 4.8 gigavat projekte të erës në bregdet).

Gjatë vitit 2021, më së shumti në projekte të erës është investuar në Mbretëri të Bashkuar, ku janë investuar gjithsej 9.4 miliardë euro, vazhduar nga Gjermania (8 miliardë euro) dhe Franca (4.6 miliardë euro).

Shuma të mëdha parash janë investuar në projekte të erës edhe në Suedi (3.2 miliardë euro), Finlandë (2.8 miliardë euro), Poloni (1.6 miliardë euro) dhe Lituani (0.4 miliardë euro). Në Spanjë investimet në projekte të erës kanë arritur në 3.2 miliardë euro, njëkohësisht shuma më e madhe që është investuar ndondjëherë në këtë lloj projektesh në këtë vend që nga viti 2009.

Investimet në projekte të erës në bregdet ishin më të lartat në Mbretëri të Bashkuar (8.8 miliardë euro), Gjermani (4.9 miliardë euro), Francë (2.2 miliardë euro) dhe Danimarkë (0.7 miliardë euro).

Probleme u paraqitën për shkak të luftës në Ukrainë dhe mungesës së lëndës së parë

Programi REPoëerEU i Komisionit Evropian ka propozuar caqet e reja për energji të ripërtëritshme. Sipas tyre, Evropës i duhet të shtojë 480 megavat energji elektrike të erës deri në vitin 2030. Në BE, 19 gigavat projekte të reja janë financuar vitin e kaluar, vlerë kjo më e ulët se vlera e planifikuar prej 32 gigavatësh.

“Projektet e erës përfaqësojnë investime atraktive dhe do të ketë mjaftueshëm kapital për të financuar këto projekte, por çështjet që ndërlidhen me proceset e autorizimit duhen rregulluar për të parandaluar tejzgjatjen e zbatimit të këtyre projekteve”, thuhet në raportin e WindEurope.

Normat e interesit vazhdojnë të jenë të ulëta për momentin, por tregu ishte ballafaquar me turbulence të shkaktuara nga mungesa e lëndëve të para dhe çmimet e larta të energjisë. Për më shumë, edhe pushtimi rus i Ukrainës ka shtuar presionin dhe mund të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve tregtare.

Sidoqoftë, në periudhë afatmesme, kushtet për financimin e projekteve të erës pritet të mbeten të favorshme, sipas WindEurope.

Korniza rregulluese ka tejzgjatur dhe ka rritur koston e projekteve të reja në Evropën Juglindore

E sa i përket Evropës Juglindore, 800 megavat projekte të reja janë financuar përmes investimeve në vlerë të përgjithshme prej 1.4 miliardë eurosh, e që përfaqësojnë 6% të totalit të projekteve të reja të erës në sipërfaqe të tokës në Evropë.

Sipas raportit, në shumë tregje të BE-së për momentin nuk ka investime në projekte të erës, përkundër potencialit për zhvillim të këtyre projekteve. Politikat kombëtare energjetike dhe mungesa e një mjedisi rregullator të qëndrueshëm kanë ndikuar në nivelin e investimeve dhe angazhimeve financiare në gjysmën e shteteve anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe rajonin e Evropës Juglindore.

Nga 800 megavatët e financuar, 685 megavat ose 78% e projekteve ishin të vendosura në Greqi.

Nga 41.1 miliardë eurot e investuara në projekte të erës, 12.5 miliardë euro janë investuar në vende që nuk janë anëtare të BE-së: Mbretëri të Bashkuar, Ukrainë, Turqi, Norvegji, Rusi, Bosne dhe Hercegovinë, Ishujt Faraoe, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Pas Mbretërisë së Bashkuar, Ukraina ka tërhequr më së shumti kapital në listën e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, apo 1.2 miliardë në total, përcjellur nga Turqia me 1 miliardë dhe Rusia me 0.4 miliardë.

Dallimet në kostot e projekteve të reja në BE

Një ndër faktorët kryesorë që ndërlidhet me investime në projekte të erës janë shpenzimet kapitale (CAPEX) të tyre. Sipas kalkulimeve të WindEurope, në vitin 2021 cmimi mesatar për një megavat të erës në sipërfaqe të tokës ishte 1.3 milion euro në gjithë Evropën.

Kjo është mesatarja më e ulët e shënuar ndonjëherë në Evropë.

Sidoqoftë, CAPEX-i mesatar për megavat ishte shumë më i lartë se 1.3 milion euro në tregjet sikurse Gjermania, Franca dhe Greqia. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të kohëzgjatjes së lartë të procedurave për marrjen e lejes, posaqërisht në këto tri vende.

‘CAPEX për një megavat ka shënuar rënie me kalimin e viteve, për dy llojet e projekteve të erës, atyre në bregdet dhe në sipërfaqe të tokës. Sidoqoftë, presionet nga cmimet e larta të energjisë elektrike dhe komplikimet me zinxhirin e furnizimit nuk do të lejojnë vazhdimin e uljes së cmimit këtë vit’, thuhet në raport.

/Balkan Green Energy News