Search

700 biznese më pak në Kosovë – Rritja e çmimit të energjisë nga fajtorët. Si krahasohet ky numër me vitet e tjera?

September 10, 2025


Rreth 700 biznese janë mbyllur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë. Rritja e importit, shtrenjtimi i energjisë elektrike, mungesa e fuqisë punëtore, konkurrenca jo e drejtë dhe mungesa e një ligji për mbrojtjen e bizneseve, konsiderohen disa nga faktorët që ndikuan në mbylljen e qindra bizneseve.

Ndonëse, ka edhe një numër të bizneseve të reja të regjistruara në këtë periudhë, vlerësohet se kjo shifër e shuarjes duhet të jetë sinjal alarmues për qeverinë dhe institucionet e vendit.

Me falimentimin e bizneseve, konsiderohet se po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, thotë për KosovaPress se në vend të mbylljes, Kosova ka nevojë për hapjen e bizneseve të reja dhe fuqizimin e atyre ekzistuese, por përballja me sfida të shumta, siç potencon ai, po e vështirëson këtë proces.

Ahmeti thekson se kostoja e lartë e punës, inflacioni, varësia nga importi dhe rritja e çmimit të energjisë janë ndër faktorët kryesorë që po rrezikojnë qëndrueshmërinë e bizneseve.

Ai shtoi se konkurrenca e ashpër nga produktet e importuara, rritja e çmimeve dhe mungesa e një ligji që mbron bizneset vendore, po e bëjnë të vështirë mbijetesën e tyre.

Një tjetër problem serioz, sipas Ahmetit, përveç mungesës së punëtorëve, është edhe largimi i atyre me përvojë, gjë që po e dëmton rëndë tregun vendor.

“Çdo mbyllje e bizneseve në Kosovë për cilëndo qeveri, institucion duhet me qenë alarm. Vetëm kjo shifër, pavarësisht se është më e vogël se në 2024-ën, prapë është shifër e madhe…Duke u parë zhvillimet që po ndodhin, kostoja e punës, inflacionet e ndryshme që po i merr Kosova vazhdimisht për shkak edhe të importimit të madh që ndodhë, zhvillimet e fundit me çështjen e energjisë…Të gjitha këto ndikojnë në rrezikimin e një numri të madh të bizneseve për të funksionuar…Është vazhdimisht në rritje varësia e tregut tonë nga importi dhe varet nga ato çmime që po vijnë”, thotë Ahmeti.

Ai thekson se tjetër faktor është konkurrenca shumë e madhe nga produktet që vijnë nga importi.

“Pastaj, e ka konkurrencën shumë të madhe nga produktet që vijnë nga importi dhe e ka të pamundur të mbijetojë me ato çmime që e kanë mbajtur deri sot tregun, për shkak se sot i vjen fatura 3 fish më shtrenjtë sesa që i ka ardhur para disa kohësh…Pjesa dërrmuese e bizneseve tona janë goditur jashtëzakonisht rëndë nga ikjet që ende vazhdojnë të vetë punëtorëve të tyre, që kanë pasur një përvojë të gjatë pune…Është një telash shumë i madh që Kosova ende nuk ka një ligj për mbrojtje të vetë bizneseve. Ka biznese që janë ngjitur njëri me tjetrin që janë të së njëjtës veprimtari. Bëhet një garë e ashpër”, shprehet Ahmeti.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thonë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë mbyllur 698 biznese. Ndërkaq, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i mbylljes së bizneseve ishte 833, ndonëse krahasuar me periudhën përkatëse të vitit të 2024, këtë vit ka një rënie të numrit të bizneseve që janë shuar.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë shuar/mbyllur 698 biznese, për derisa, për të njëjtën periudhë kohore, në vitin 2024 janë shuar/mbyllur 833 biznese. Për periudhën kohore, Janar – Dhjetor 2024 janë shuar/mbyllur 1633 biznese”, thuhet në përgjigjen e MINT-it dërguar për KosovaPress.

Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, thotë se mbyllja e bizneseve viteve të fundit nuk po ndodh vetëm tek bizneset sezonale, siç ishte më parë, por sipas tij po prek edhe ndërmarrjet e mëdha me shumë punëtorë.

Siç thekson Qorrolli, shkaktarët kryesorë janë kostot e larta nga importi, shpenzimet institucionale dhe presionet nga borxhet publike.

Ai thotë se kostoja nga energjia elektrike dhe shërbimet e tjera që vijnë nga importi po e rëndojnë ndjeshëm situatën.

Edhe Qorrolli potencon se mungesa e fuqisë punëtore dhe pamundësia për të funksionuar me staf të reduktuar po e shtojnë pasigurinë, ndërsa kompanitë më të mëdha janë ato që po përballen me rrezikun më të madh të mbylljes.

“Ajo që është fatkeqësi dhe që po vërehet edhe në të dhëna statistikore, që mbylljet e bizneseve më herët, kanë qenë mbylljet sezonale të bizneseve sezonale. Shembull, ato të artizanateve, autolarje apo biznese të vogla. Kurse, në periudhën e tri viteve (të fundit) numri i bizneseve që janë duke u mbyllur janë ato me numër të madh të punëtorëve, ku shkaktarët kryesorë janë kostot e larta që po vijnë nga importi, kostot e larta institucionale dhe presionet apo borxhet publike të cilat bizneset ende nuk kanë arritur atë edukim të lartë…E një dëm i madh që është duke iu bërë bizneseve janë kostot e paparashikueshme institucionale si rryma, uji dhe gjësende të tjera që vijnë nga importi”, thotë Qorrolli.

Si krahasohet numri i bizneseve të reja me ato të mbyllura?

Krahas përgjigjes për mbylljen e bizneseve, MINT-i thotë se nga janari deri në qershor të këtij viti janë hapur mbi 6 mijë e 600 biznese të reja. Shifër kjo më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Janar – qershor 2024 janë hapur gjithsej 6065 biznese të reja. Janar – qershor 2025 janë hapur gjithsej 6642 biznese të reja”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Lidhur me profilizimin e bizneseve të reja, Kushtrim Ahmeti drejtor ekzekutiv në DHTIK thotë se pjesa dërrmuese e bizneseve të reja që janë hapur vitet e fundit janë shërbyese ose tregtare, por jo prodhuese.

Ai potencon se mungesa e gatishmërisë për të hapur biznese prodhuese po ndalon rritjen e prodhimit vendor, krijimin e vendeve të punës dhe fuqizimin ekonomik të vendit.

“Problemi tek ne në përgjithësi vitet e fundit, pjesa dërrmuese e bizneseve të reja që janë hapur janë shërbyese apo tregtare, por nuk janë biznese prodhuese. Ne qalojmë aty. Sepse tregtare e kanë shumë lehtë, e sjellin produktin e gatshëm dhe e shesin, shërbimet i kanë po ashtu të gatshëm…Problemi është që nuk ka gatishmëri për të hapur biznese që janë prodhuese, të cilat sjellin edhe rritje të prodhimit vendor të produkteve por edhe rritje të vendeve të punës dhe që i japin një fuqi të madhe ekonomike vendit tonë…”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, thotë bizneset e reja po hapen kryesisht me nga 5 deri në 10 punëtorë, e që sipas tij nuk ofrojnë siguri për zhvillim afatgjatë.

Sipas tij, kur këto biznese të përpiqen për zgjerim, ato po përballen me sfida të mëdha që mund t’i pengojë të mbijetojnë.

/KP