Search

4 kompanive u pezullohen lejet për shkak të cilësisë së ulët të derivateve

19 Shtator, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 5 minuta

Viteve të fundit janë ndërmarrë disa hapa në mënyrë që cilësia e derivateve të naftës të jetë më e mirë. Përveç inspektimeve që janë rritur, në katër raste MINT, ka marrë vendim për pezullimin-revokimin e licencave-lejeve të disa kompanive të derivateve të naftës, të cilat merren më përpunimin dhe shitjen më shumicë të këtij produkti.

Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim dhe Inn Oil, janë kompanitë e dyshuara, të cilave u janë pezulluar lejet.

Për të dhënë lajmin në një konferencë për media në vitin e kaluar pati dalë ministrja Rozeta Hajdari e cila pati thënë se bazuar në faktet e Doganës këto kompani rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit, shkruan Preportr.cohu.org

Sipas saj, disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.

Ajo pati thënë se kanë marrë disa mostra të dizelit në Kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut dhe janë gjetur shumë raste të jokonformitetit, që do të thotë se derivatet e naftës nuk kanë qenë në parametrat e duhura.

“Në një rast kemi gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh për litër që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligramësh për litër. Për këto raste do të njoftojmë edhe Prokurorinë”, pati thënë Hajdari.

Vendimet e MINT-it për pezullim/revokim të lejeve/licencave akoma janë në fuqi. Disa operatorë sipas përgjigjes që kemi marrë në Ministrinë e Tregtisë, kanë parashtruar padi në gjykatën kompetente si dhe kanë kërkuar masë të sigurisë ( për pezullim të zbatimit të vendimeve), mirëpo gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar kërkesën për pezullim të vendimeve dhe çështja është akoma në shqyrtim nga gjykatat.

Preportr, i ka dërguar pyetje dy prej kompanive, për të marrë opinionin e tyre rreth pretendimeve të Ministrisë së Tregtisë si dhe rastit që e kanë dërguar në gjykatë, por edhe pas disa javësh pritjeje nuk kemi marrë përgjigje.

Këto kompani të kontaktuara vitin e kaluar nga Radio Evropa e Lirë e patën mohuar se ato kanë shpërndarë naftë më cilësi të dobët.

Sektori i derivateve të naftës konsiderohet më fitimprurësi në Kosovë. Meqë nevojat për këto produkte janë të mëdha dhe të vazhdueshme gjithherë është kërkuar që të ketë kontroll për cilësinë e tij.

Për shumë vite nga kontrollet që janë bërë në terren ka rezultuar që vlerat e lejuara janë tejkaluar nga operatorët dhe ata pa problem i kanë shitur produktet e tyre, pa i respektuar këto vlera. Arsye që nuk ka pasur një kontroll më të madh të kompanive që shesin derivate të naftës, thuhet të ketë qenë mungesa e inspektorëve, laboratorëve etj.

Viteve të fundit sipas MINT, mund të thuhet se cilësia e produkteve të naftës është dukshëm më e mirë dhe ndër produktet më të kontrolluara përmes testeve laboratorike në pikat doganore dhe në tregun e brendshëm.

Për këtë përmirësim ata kanë përmendur se janë marrë një sërë hapash si ai i revokimit të licencave, duke vazhduar me inspektimet më të shpeshta dhe gjobat që u janë shqiptuar atyre që nuk i kanë respektuar rregullat.

Qytetarët janë ankuar në vazhdimësi për mungesën e cilësisë së naftës dhe derivateve të saj. Në pyetësorin e Preportr, ata janë përgjigjur se ka mungesë të cilësisë së naftës. Më shumë se 60 përqind e respodentëve kanë thënë se cilësia e derivateve të naftës nuk është aspak e mirë. Mesatarisht e mirë kanë menduar 27 përqind e respodentëve. Ndërsa e mirë vetëm rreth 4 përqind e tyre.
//Media Ndërtimi.Info