3 nga 10 kompanitë me qarkullim më të madh në Kosovë në fushën e energjisë – Ndër to përfshihet NOA Energy
February 16, 2026

Në TOP 10 kompanitë me qarkullimin më të madh në Kosovë për vitin 2025 është edhe kompania fantome NOA Energy Trade. E njejta ka pasur qarkullim 185 milionë euro në vitin e kaluar.
Noa Energy Trade, kompania “fantazmë” me adresë të falsifikuar në Kosovë, pa zyrë operative dhe me shumë pak punonjës ka realizuar 185 milionë euro qarkullim gjatë vitit 2025, duke u renditur në mesin e 10 kompanive më të mëdha në vend.
Në emisionin EURO n’T7 janë publikuar të dhëna ekskluzive të përgatitura nga kompania Data4X për sektorët kryesorë ekonomikë në vend.
Sipas të dhënave të prezantuara, kompania turke Kosovo Calik Limak Energy mbetet kompania më e madhe në vend për nga qarkullimi, me rritje prej 19% – nga 366 milionë euro në vitin 2024 në 437 milionë euro në vitin 2025.
Në vendin e dytë renditet VivaFresh Store me 393 milionë euro, pasuar nga ELKOS me 247 milionë euro. HIB Petrol, së bashku me kompanitë e tjera të përbashkëta, ka realizuar 236 milionë euro, ndërsa Proex (Intrex) 235 milionë euro. Ex FIS ka arritur 220 milionë euro, KEK 200 milionë euro, Bucaj 175 milionë euro, si dhe hyrja e re në top 10-she, AlbaPetrol Group me 162 milionë euro qarkullim.
Bazuar në këto shifra, del se bizneset kryesore të zhvilluara gjatë vitit 2025 janë ato të energjisë, derivateve dhe tregtisë me pakicë. Sot në Kosovë janë mbi 25 kompani që brenda një viti realizojnë qarkullim mbi 100 milionë euro, ndërkohë që jo shumë kohë më parë ky numër nuk arrinte as dhjetë.
/VOX Kosova