Search

“21 milionë eurot e Contour Global do të paguhen nga paratë e qytetarëve”, ishte e ditur se Kosova do të humb rastin

15 Korrik, 2024


Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të zhvilluar javën e kaluar mori vendim që t’i paguaj mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane ContourGlobal, pas humbjes së rastit në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar vitin e kaluar.

Kësisoj shteti tani t’ia paguajë “Contour Global”, mbi 21 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, për mos respektim të kontratës nga ana e Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje Lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu i cili ka thënë se pagesa që po i bëhet ContourGlobal, është dëshmi e humbjes së Kosovës përballë mafisë ballkanike për energji elektrike.

Sipas tij, ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike me thëngjill ka pasur tentativa të shumta që nga viti 2003, 2009, 2013 dhe 2016, mirëpo kanë qenë të parealizueshme.

Ai ndër të tjera thotë se ky projekt aq sa ka qenë i rëndësishëm në aspektin gjeostrategjik, ekonomik, politik e integrues poashtu aq ka qenë edhe vështirë i realizueshëm duke e pasur parasysh fuqinë e mafisë ballkanike.

“Ky projekt ka qenë vështirë i realizueshëm duke e pasur parasysh fuqinë e mafisë ballkanike e lidhur me qarqe politike në Kosovë dhe në veçanti me shoqërinë civile. Shumë njerëz janë pagu me para të shumta vetëm për me pengu një projekt të tillë”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se është për të ardhur keq se si sot Kosova në vend që te jetë një shtet që eksporton energji elektrike është e varur nga importi.

Ai shprehet se në këtë drejtim jo vetëm që Kosova është humbëse për shkak se nuk ka kapacitete të reja të ndërtimit por edhe penalizimi në kosto ka ndikuar gjë që do të paguhet nga buxheti i Kosovës i bërë nga qytetarët.

“Në këtë drejtim jo vetëm që jemi humbës që nuk kemi kapacitete të reja të ndërtimit, falë lobimit të pamëshirshëm të grupeve të caktuara të interesit, por jemi edhe të penalizuar sepse këtë kosto e paguan buxheti i Republikës së Kosovës, një buxhet i bërë nga qytetarët e saj, është një dëm që e dëshmon më së miri mjerimin që e ka kaplu Kosovën ku nuk ka përgjegjësi as institucionale e as individuale”, ka thënë ndër të tjera Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut ministrat e at’hershëm kanë qenë kundër këtij projekti, ani pse kanë qenë në dijeni për rëndësinë e këtij projekti.

Sipas tij se lënda për këtë projekt do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit veçse është ditur dhe se Kosova do të pësojë humbje për shkak të fuqisë së dobët lobuese që ka.

Ndërkaq ai ka thënë se është ditur dëmtimi që do t’i bëhet Kosovës në rast refuzimi të këtij projekti, ndonëse sipas tij për shkak të involvimit të njerëzve nga hirearkia më e lartë shtetërore.

“Është ditur paraprakisht se kjo land ka me shku në Gjykatën e Arbitrazhit, është ditë që Kosova ka me qenë humbëse duke pasur parasysh që kemi forcë jo të fuqishme lobuese dhe kur dihet fare mirë se me një dëmtim për t’a refuzuar këtë projekt kanë qenë të involvuar edhe njerëz nga hirearkia më e lartë shtetërore mbështetur nga shoqëria civile e cila është pagu shumë për me dëmtu Kosovën edhe me përfundu në këtë gjendje”, ka përfunduar Gërxhaliu.

Të njëjtin mendim me Gërxhaliun ka ndarë edhe deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila për lajmi.net, ka thënë se 21 milionë do të paguhen nga taksat e qytetarëve.

Ajo thotë se Kosova po i humb 21 milionë euro me “kokëfortësi”, të kryeministrit Kurti.

“Kjo çka ka ndodh është tmerr se Kosova po i hup 21 milionë euro me kryefortësi. Veprimet e para i ka ba Albin Kurti, veprime që e kanë dëmtu raportin edhe e kanë sjell vendimin për anulimin e projektit”, është shprehur Kadrijaj.

Sipas saj, Kosova po dënohet për shkak të veprimeve antikushtetuese e antiligjore të kryeministrit Kurti.

“Sa i jep 21 milionë me taksa të qytetarëve të Kosovës ma mirë kish me qenë 21 milionë euro të investohen në ndonjë projekt për çka duhet të paguhet tash gjoba e anulimit të një projekti”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërkaq për këtë çështje ka folur edhe Gzim Shala- Hulumtues i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i cili thotë se së pari Qeveria e Kosovës duhet të jap sqarimet e nevojshme nëse janë ndjekur procedurat për njohjen e vendimit të arbitrazhit.

“Ligji për Arbitrazhin kërkon njohjen e vendimeve të arbitrazhit të nxjerra jashtë Kosovës, në mënyrë që të njëjtat të njihen si të plotëfuqishme dhe të ekzekutueshme”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Sipas Shalës vendimi për ndarjen e 21 milionë eurove nga Qeveria është i paarsyetuar pasi do të ndahen 21 milionë nga taksat e qytetarëve.

Mes tjerash ai thotë se kemi të bëjmë me raport të kontraktuar që ka pasur Kosova dhe se në këto raste Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë analizat dhe përllogaritjet e nevojshme lidhur me koston dhe benefitiet që kanë nëse tërhiqen nga një kontratë e caktuar.

“Dështimi për të bërë analiza të kësaj natyre sjellë deri te kjo situatë, ku Kosova duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerë për mbi 21 milionë euro”, ka përfunduar Shala.

Në lidhje me këtë Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar para mediave në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë dje për kompensimin e kompanisë “Contour Global” me 21 milionë euro.

Haradinaj tha se investimi i “Contour Global” prej 1.3 miliardë dollar ka qenë investimi më i madh i paraparë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Por sipas Haradinajt, Kurti dhe klika e tij që e kanë dështu Contour Global janë kriminel, që e kanë dështu një termocentral të ri e ne ende furnizohemi nga termocentral që janë mbi gjysmë shekulli të vjetër që më shumë lëshojnë helm se energji.

“Contour Global” ka qenë kompania amerikane e cila pati marr përsipër ndërtimin e termocentralit me qymyr “Kosova e re”.

Në mars të viti 2020, kompania kishte njoftuar se do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu kishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Investitori “Contour Global” përveç ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit, e kishte paditur Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Kontrata me “Contour Global” është nënshkruar nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017. Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur “Kosova e Re”.

Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë ka qenë i planifikuar t’i kushtojë 1.3 miliardë euro. Marrëveshje me “Contur Global” ishte vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë në vlerë prej 1.3 miliard euro, ky projekt nuk u finalizua.

/Lajmi.net