Search

113 milionë euro janë paguar për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022

November 15, 2023


113 milionë euro janë paguara për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022, ndërsa këtë vit, deri në shtator, borxhi është rreth 25 milionë euro.

Kështu ka thënë ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, pasi ka komentuar raportimin e KOSTT-it sot në Komisionin për buxhet.

Hoti tha se pagesat e rrymë për veriun e Kosovës në të kaluarën janë bërë me vendim të Kuvendit derisa tani me vendime tjera.Hoti tha po ashtu se shuma e paguar gjatë muajve të këtij vitit është shumë më e lartë se sa shumat paguara përgjatë viteve 2021 dhe 2022, ndërkohë shtoi se nuk po i shihet fundi këtij trendi.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti tha se qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë në të kaluarën kundër këtyre pagesave, derisa sipas tij, tani paguajnë shumëfish më shumë për rrymën e shpenzuar nga serbët e veriut.

“Nga raportimi i KOSTT-it sot në Komisionin për Buxhet, 113 mil euro janë paguara për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022. Këto mjete janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nga dividenta e KOSTT-it për Qeverinë. Sivjet, deri në shtator, borxhi është rreth 25 mil.

Anomalia qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit. Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera.

Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, ka shkruar Hoti.