Search

Zyrtari i Ambasadës Amerikane: Infrastruktura energjetike pengon rritjen e fuqishme ekonomike në Kosovë

23 Shtator, 2021


Në një përgjigjje për Albanian Post, ndërsa ka komentuar për projektin e gazit në Kosovë, një zëdhënës i ambasadës amerikane ka thënë se ndër faktorët thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike.

Sipas këtij burimi, mos qëndrueshmëria e furnizimit aktual të energjisë elektrike me qymyr rrit kostot operative për kompanitë dhe kufizon konkurrencën e tyre, ka raportuar Albanian Post.

“Ndërprerjet e shpeshta të energjisë dëmtojnë dhe veprimtaritë e tjera që krijojnë të ardhura, duke imponuar çmime për bizneset dhe familjet dhe duke penguar investimet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për Albanian Post.

Zyrtari i Ambasadës: Diskutimet me MCC po vazhdojnë, shumica e financimit bëhet nga BERZH dhe WBIF

Ndryshe, i njejti burim ka konfirmuar për Albanian Post se SHBA-të janë duke vazhduar diskutimet me Qeverinë e Kosovës rreth lidhjes me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, projekt ky i propozuar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Derisa Qeveria e Kosovës është ende në diskutime, zëdhënësi nga ambasada e SHBA-ve, ka thënë se “shumica e financimit do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, ka raportuar Albanian Post.

Sipas këtij burimi, zhvillimi i sektorit të gazit natyror do t’u jepte përdoruesve të energjisë një mundësi më efikase të përdorimit të energjisë termike dhe do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Projekti i gazit ndihmon edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, shërben si mundësi për të kaluar në hidrogjen

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Po ashtu, ky projekt siç thotë zëdhënësi i ambasadës amerikane do të ndërtonte infrastrukturën rezervë të kërkuar për të stabilizuar sistemin, si dhe kapacitetin institucional për të prokuruar dhe menaxhuar rezervat.

“Projekti mund të përfshijë një komponent të vogël të ruajtjes së baterisë për rezervat dytësore dhe një komponent më të madh të gazit në energji për të furnizuar si rezervat terciare ashtu edhe një sasi të vogël të gjenerimit të ngarkesës bazë”, shtoi ai.