Search

ZRRE shqyrton tarifat e energjisë elektrike

14 Dhjetor, 2021


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.

ZRRE-ja e ka marrë këtë vendim në bazë të kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).

“Gjatë këtij procesi (ZRRE) do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve”, thuhet në një njoftim të ZRRE-së.

Po ashtu shtohet se muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë.

Siç theksohet në njoftimin e ZRRE-së, kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.

“Duke qenë se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet nevoja për import, që do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor. Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilat nuk janë parashikuar në të hyrat e lejuara maksimale për vitin relevant tarifor 2021”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE bën të ditur se në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Javë më parë zyrtarë të KEDS-it, patën deklaruar se çmimi në Kosovë i energjisë elektrike nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.