Search

ZRRE publikon raporte konsultative për çmimin e rrymës, kërkon komente nga palët

17 Janar, 2022


Përmes një komunikatë për media, Zyra e Rregullatorit për Energji ka sqaruar se është në procesin e shqyrtimit të jashtzakonshëm të tarifave për aktivitetet në sektorin e energjisë elektrike.

‘Sipas legjislacionit sekondar të ZRRE-së, shqyrtimet e jashtëzakonshme ndodhin atëherë kur ndryshimet në mes të vlerave hyrëse të supozuara gjatë llogaritjes së tarifave, dhe vlerave të realizuara gjatë implementimit të tyre, ndryshojnë në atë masë sa kalojnë pragun e materialitetit prej 5%’, ka thënë ZRRE në sqarimin e publikuar.

Gjysma e dytë e vitit 2021 u karakterizua me një rritje të paprecedentë të çmimeve në tregjet evropiane të energjisë elektrike, që u ndikuan nga kërkesa për gaz në Azi, niveli i ulët i rezervave të gazit në stoqet Evropiane dhe rritja e kërkesës për energji elektrike që erdhi si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike pas kufizimeve fillestare të COVID-19, ka sqaruar ZRRE.

Çmimet në bursën hungareze u rritën për 563%, kjo ndikoi në Kosovë

Ata kanë thënë se në bursën Hungarese të energjisë elektrike, HUPX, çmimet u rritën për 563% krahasuar me fillimin e vitit.

Si shtet neto-importues i energjisë elektrike, edhe Kosova është ndikuar nga rritja e çmimeve në Evropë. E situata u rëndua edhe më shumë, pasi edhe kërkesa për rrymë është rritur dukshëm.

‘Përveç rritjes së çmimeve, në vitin 2021 në Kosovë është shënuar rritje të ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, gjë që ka cenuar edhe sigurinë e furnizimit. Kjo është ndikuar pjesërisht nga ndryshimet e strukturës tarifore të vitit 2017, që kanë synuar thjeshtimin e strukturës por që kanë ndikuar në zvogëlimin e nxitjes për efiçiencë të energjisë dhe përdorimin e energjisë elektrike si alternativë më të lirë për ngrohje gjatë sezonës të dimrit’, ka thënë ZRRE.

ZRRE me dy raporte konsultative

ZRRE-ja ka përgatitur dy raporte konsultative, atë për të hyrat e lejuara maksimale të KESCO-s, KOSTT-it dhe KEDS-it, si dhe raportin tjetër konsultativ për qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturim të tarifave.

ZRRE ka ftuar të gjitha palët të shprehin mendimet e tyre rreth raporteve, jo më vonë se 28 janar 2022.

‘ZRRE beson fuqimisht se konsultimi publik është në qendër të politikave efektive rregullatore. ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në këtë raport konsultativ, dhe të komentojnë ato, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh. Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org, jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00h’, kanë thënë ZRRE.