Search

ZRRE fillon diskutimin publik për propozimin fillestar për të hyrat e lejuara për operatorët

24 Gusht, 2021


Zyra e Rregullatorit për Energji ka informuar se ka vendosur në konsultim publik raportet për përshtatjet e rregullta vjetore për të hyrat maksimale të lejuara (MAR), që do të mbulohen nga kompanitë e rregulluara të energjisë elektrike.

‘Në këto raporte konsultative ZRRE-ja ka bërë publik propozimin fillestar për MAR-et e azhurnuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT-KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-KEDS) dhe do të përcaktojë të hyrat e Furnizuesit me Shërbim Universal (FSHU)’, ka thënë ZRRE në thirrjen për diskutim të publikuar në rrjete sociale.

Procesi i përshtatjeve për vitin relevant tarifor 2021 përfshin periudhën 1 prill 2021 – 31mars 2022, por duke marr parasysh mungesën e funksionimit të Bordit të ZRRE, ky proces është shtyrë dhe vonesa e marrjes së vendimeve për të Hyrat e Lejuara Maksimale dhe të tarifave për këtë vit tarifor, do të azhurnohen në vitin e ardhshëm tarifor 2022, ka thënë ZRRE.

ZRRE fton të gjitha palët e interesuara, që të japin kontributin e tyre në këtë proces, duke shqyrtuar dhe komentuar të dhënat dhe pikëpamjet e paraqitura në këto Raporte Konsultative.