Search

ZRRE fillon diskutimin publik për draft-rregullën për vet-konsumatorët e BRE-ve

02 Nëntor, 2022


Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar të gjitha palët e interesuara se ka vendosur në konsultim publik ne faqen elektronike zyrtare draft rregullën për vet-konsumatorët me burime të ripërtëritshme të energjisë.

“Kjo Rregull përcakton parimet dhe mekanizmin e rregulluar për mbështetjen e konsumatorëve të energjisë elektrike që dëshirojnë të gjenerojnë energji elektrike në ambientet e tyre bazuar në teknologjinë e ripërtëritshme për përdorim vetanak, ndërtimin e kapaciteteve vet-gjeneruese, parimet e mbështetjes së Prosumatorëve dhe procedurën e aplikimit për t’u bërë Prosumator, Skemën Mbështetëse të Faturimit Neto, tarifën e Prosumatorëve si një kontribut adekuat në uljen e ndikimit të tyre në koston e sistemit energjetik, kërkesat minimale teknike për instalimet e teknologjisë së ripërtëritshme të Prosumatorëve dhe rregullimin e mekanizmit të Prosumatorëve që veprojnë Bashkërisht për banesat/ndërtesat kolektive”, ka thënë ZRRE në komunikatën e publikuar.

Përveç kësaj rregulle, ZRRE po ashtu ka vendosur në konsultim publik edhe dokumentin teknik të përgatitur nga operatori i sistemit të transmisionit në lidhje me kriteret teknike të kyçjes për konsumatorët vetprodhues.

Të gjitha palët e interesuara mund të dërgojnë komentet e tyre deri të enjtën, më 17 nëntor 2022 në ora 16:00.