Search

ZRRE do të shqyrtojë aplikacionin e Elektrosever pas dy ditësh (DOKUMENT)

22 Qershor, 2022


Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se do të shqyrtojë kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për ndërmarrjen “Drustvo Elektrosever” D.O.O. në mbledhjen e nëntë të bordit, që pritet të mbahet më 24 qershor, raporton Kosovo.Energy.

Ndryshe, në Bruksel, Kosova dhe Serbia të martën miratuan udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës.

Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshje ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar.

Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë. Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri, raporton Kosovo.Energy.

Në fund të vitit 2020, shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, kompania nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, pati aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, raporton Kosovo.Energy. Aplikimi ishte bërë disa ditë pasi kosova ishte pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit.

Kompania “Drustovo Elektrosever” është regjistruar në Agjencinë Kosovare të Bizneseve në nëntor të 2018-s.

Në të njejtën mbledhje, ZRRE do të shqyrtojë edhe disa kërkesa për marrje të autorizimit për vet-konsum, si dhe çështje tjera me interes për sektorin e energjisë.