Search

Zeka: Investitorët amerikanë mund të joshen nga qasja e lehtë në fuqinë punëtore dhe popullësia e re

06 Mars, 2023


Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka folur rreth vizitës së disa përfaqësuesve të disa bizneseve të mëdha amerikane në Kosovë, dhe mundësinë që ato të investojnë në sektorin e energjisë.

Ka qenë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli që është takuar me përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), të Bankës Amerikane për Eksport-Import, të Shoqatës së Biznesit Amerikë – Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë, ku këto gjashtë kompani kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë.

“Po, patjetër delegacioni i përfaqësuesve të bizneseve amerikane dhe i përfaqësuesve të lartë të qeverisë amerikane ose të Departamentit Amerikan të Shtetit siç i referohemi ne është ende në Odën Amerikane, kanë përzgjedhur Odën Amerikane që t’i përmbyllin aktivitet e tyre pas një sërë takimesh që kanë pasur me nivelin më të lartë të lidershipit të Republikës së Kosovës bëhet fjalë për disa prej kompanive më të mëdha që përfaqësojnë interesa komerciale amerikane duke nisur prej General Electric Power, prej Honeywell pastaj është Siemens Energy dhe janë edhe 5-6 kompani të tjera, po i përmendi me emra Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International, por edhe përfaqësues nga shoqtaa eb zine3seve amerikane të Evropës qendrore”, ka thënë Zeka për Info Magazine të Klan Kosovës.

Ajo që mund t’i joshë investitorët amerikanë, sipas Zekës, është qasja në fuqinë punëtore të talentuar, njerëzit e kualifikuar për punë, fuqia e edukuar e punës, dhe popullata e re.

Zeka e përmendi që biznese kosovare si ato të Devolli Corporation dhe Comodita kanë arritur ta shfrytëzojnë mirë qasjen në tregje si ato me Bashkimin Evropian, Ballkanin Perëndimor dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ajo që ua ofron Kosova investitorëve të huaj, investitorëve amerikanë, në këtë rast është edhe qasja në tregje siç është në tregun e Bashkimit Evropian, në tregjet e Ballkanit Perëndimor përmes marrëveshjeve për tregti të lirë në Evropën Qendrore, e po ashtu përfiton nga angazhimet e njëanshme preferenciale tregtare siç është ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikë, që për shembull është shfrytëzuar goxha mirë nga ana e Devolli Corporation dhe Comoditës, me mbi 120 milionë euro eksporte përgjatë një vitit të caktuar”.

“Të gjitha këto janë përparësi të cilat i ofron Kosova dhe këto janë prezantuar edhe nga ana jonë si Odë Ekonomike Amerikane edhe nga ana e përfaqësuesve të institucioneve të vendit”.

“Këto kompani natyrisht interesin e kanë te eksporti i energjisë, pra po flasim për një fokus më specifik në sektorin e energjisë. Kosova ka potenciale të mëdha për zhvillimin e projekteve infrastrukturore energjetike për aq kohë sa ne kemi nisur me qenë se ne jemi në periudhat e para të tranzicionit energjetik në vend. Kosova është zotuar që do të kalojë ose do të bëjë zëvendësimin e burimeve fosile me burime të ripërtëritshme për gjenerimin e energjisë edhe natyrisht që kjo përfaqëson edhe paraqet një mundësi të mirë që këto kompani më të mëdha të Amerikës të eksplorojnë mundësinë e investimeve në vend ose të partneritetit me bizneset kosovare”.

/klankosova.tv