Search

Ymeri: Refuzimi i projektit të gazit për shkak të kostos është shkurtpamësi

23 Shtator, 2021


Ndërtimi i projektit të gazsjellësit të Ballkanit, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gabim nëse trajtohet vetëm nga prizmi i kostos financiare. Por, edhe paqartësi e madhe konceptuale e Qeverisë së Kosovës, shkruan Albanian Post.

Ndërsa është deklaruar se diskutimet për projektin po vazhdojnë, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se personalisht e mbështet një projekt të tillë, kryesisht për shkak të arsyjeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Kësisoji mendojnë edhe ekspertë të ndryshëm në Kosovë. Në një intervistë për Albanian Post, ish kryetari i Vetëvendosjes dhe analisti politik, Visar Ymeri ka thënë se çështja e lidhjes së Kosovës në rrjetin rajonal të gazit nuk është vetëm e rëndësisë jetike strategjike, por edhe asaj “ekonomike”.

Për Albanian Post Ymeri ka thënë se refuzimi i projektit për shkak të kostos do të ishte shkurtpamësi.

“Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti duhet ta trajtojnë këtë me seriozitet dhe prioritet”, shtoi Ymeri.

Në të kundërt, refuzimi i një projekti të tillë, siç thotë Ymeri, e vendosë Kosovën në një situatë të pafavorshme në marrëdhëniet me SHBA-të.

Sipas tij, refuzimi i një projekti të tillë dhe pasojat politike e diplomatike të këtij refuzimi rrezikojnë t’ia dëmtojnë Kosovës marrëdhëniet me SHBA-të që do të reflektohej pastaj në rënie të interesimit të SHBA-ve për Kosovën.

“Kosova është në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të shtetndërtimit që ndërlidhet me subjektivitetin tonë ndërkombëtar e finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë. Në të dyja këto procese ndihma e pakursyer nga SHBA-të është jetike për suksesin e Kosovës. Prandaj duhet menduar mirë e trajtuar me seriozitet ky projekt”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Ymeri ka theksuar se qëllimi i SHBA-ve është që në rajon të mos lejojnë ndikime nga shtetet si Rusia e Kina.

“Kjo nënkupton mbajtjen e rajonit nën ombrellën ekonomike e gjeostrategjike perëndimore. Kështu ky rrjet i gazsjellësit synon ta ndalë furnizimin me gaz nga Rusia. Ndikimi rus në Serbi është i madh. Për ta kthyer rajonin kah perëndimi kërkohet largimi i Serbisë nga ndikimi rus por edhe ai kinez”, përfundoi Ymeri.