Search

WindEurope: Kërkesa për turbina të erës në Evropë ka rënë për 47% në 2022

02 Shkurt, 2023


WindEurope ka alarmuar për rënien e madhe të kërkesës për turbina të reja të erës në Evropë.

Sipas tyre, kërkesa për turbina të erës në vitin 2022 ka rënë për 47% në Evropë, krahasuar me vlerat e vitit 2021, dhe kjo tregon për rënien e investimeve në parqe të prodhimit të rrymës nga era.

Sipas të dhënave të dorëzuara nga prodhuesit e turbinave, gjatë vitit 2022 në BE janë kërkuar turbina me kapacitet të përgjithshëm prej 9 gigavatësh, ndërsa në 11 muajt e parë të këtij viti janë lëshuar leje finale për vetëm 12 gigavat kapacitete.

Kjo vlerë është shumë më e ulët se parashikimet për instalimet e turbinave të erës në BE për vitin 2022, që përllogariteshin në 30 gigavat.

Sipas WindEurope, inflacioni si dhe rritja e shpejtë e kostove janë ndër problemet kryesore që kanë ndikuar në ngecjen.

Ata kanë shtuar se edhe intervenimet në treg, për shkak të krizës energjetike, kanë demotivuar investitorët për të bërë investime në sektorin e prodhimit të rrymës nga era.