Search

Vihet gurëthemeli i trafostacionit të ri 10/0.4 kV në Fshatin Stagovë – Kaçanik

27 Maj, 2021


Drejtori i Sistemit të Operimeve, Bujar Jupaj i shoqëruar nga Këshilltar i Drejtorit Menaxhues të KEDS, Avni Alidemaj, u pritën sot në fshatin Stagovë të Kaçanikut nga Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra së bashku me stafin përcjellës.

Në këtë fshat, KEDS ka filluar projektin investiv të rikonstruimit të rrjetit të tensionit të ulët dhe të mesëm, nga i cili do të përfitojnë mbi 100 familje të lagjeve: Teneqja, Dashi, Mani, Krraba, Gudash. Krahas vendosjes të mbi 178 shtyllave, dje u bë edhe vendosja e gurëthemelit të Trafostacionit 10/0.4 kV.

Këto investime janë mirëpritur nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut dhe banorët e këtij fshati.

“Sot po bëhet përurimi i një projekti mjaft të rëndësishëm i cili ka qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve. Ne si komunë i jemi falenderues KEDS për bashkëpunimit dhe padyshim që edhe banorët janë shumë mirënjohës. Projekti në fjalë, po i bën një zgjidhje afatgjate furnizimit me energji për këta banorë. Rrjeti paraprak ka qenë në gjendje të mjerueshme. Këto investime po i bëjnë zgjidhje shqetësimeve të banorëve të fshatit Stagovë”, tha Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.

Fjalë mirënjohëse dhe falenderuese, tha edhe Kryetari i këtij fshati, Kemajl Jaha.

“Pas një angazhimi maksimal, më në fund e arritëm qëllimin. U jemi shumë falenderues KEDS-it dhe Kryetarit, të cilët na mbështetën në kërkesën tonë. Padyshim se këtij investimi i gëzohet secili nga banorët e këtij fshati”, tha Jaha.

Ndërkaq, Drejtori i Sistemit të Operimeve në KEDS, Bujar Jupaj, tha se ky investim i cili kap shifrën prej rreth 150 mijë eurove do të sigurojë furnizim kualitativ për këta banorë.

“Me jetësimin e këtij projekti, KEDS po i bën zgjidhje afatgjate furnizimit me energji në fshatin Stagovë. Janë rreth 150 mijë euro që KEDS po i investon, duke krijuar një infrastrukturë të sigurtë energjetike këtu.”, përfundoi Jupaj.