Search

Vendimi i Qeverisë për rrymën, jo i plotë dhe diferencues

24 Janar, 2022


Kosova po vazhdon të përballet me krizën energjetike. E derisa ishte paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike për në muajt në vazhdim të vitit 2022, kjo duket se do të ndodhë që tani.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka kërkuar ngritjen e çmimit të rrymës, gjë që po kritikohet. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka planifikuar 75 milionë euro për subvencionim të energjisë për qytetarët dhe bizneset duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave, ku sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo ishte zgjidhja më e mirë për qytetarët tani.

“ZRRE ka marrë një vendim nën presion politik në vitin 2021, duke hequr bllok tarifën. Vendimi i ZRRE nuk është final, por është në diskutim publik. Ne mund t’ju kërkojmë ndryshime. Kostot e importit dhe sektorit janë rritur shumë. Subvencionimi është i nevojshëm në këto rrethana. Për konsumatorët që harxhojnë nën 600 kWh çmimi do të mbetet i njëjtë, ata që harxhojnë mbi 600 kWh, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen tarifore”.

Sipas ofertës së çmimeve për pagesë, ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për krizën energjetike dhe rritjen e çmimit të energjisë ka fajësuar qeveritë e kaluara.

“Me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale, për më tepër janë larguar masat siç janë bllok tarifat. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim shumë i madh dëmet të cilat i kemi ndjerë tani, kjo krizë vetëm sa ka thelluar atë që po paguajmë. Fatura që po paguajmë është ajo e mosveprimit të më se 2 dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Në të njëjtën kohë jemi duke ndjerë vjetërsinë e termocentraleve. Në vend se të investohet në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore kanë bërë ndërtimin e mijërave banesave që varen nga energjia elektrike”, ka thënë Kurti.

LDK, PDK dhe AAK kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë janë partitë opozitare. LDK ka kritikuar qeverinë Kurti për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike për 42 për qind. Besian Mustafa, anëtari i Kryesisë së LDK-së, në një konferencë për medie ka thënë se në këtë mënyrë do t’iu vështirësohet jeta qytetarëve.

“Mungesa e përgjegjësisë, profesionalizmit, njohurisë dhe vullnetit për punë pro aktive e qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind. Pavarësisht tentimeve për të manipuluar me kalkulime që kinse rezultojnë në mos rritje të çmimeve, çmimet e faturës elektrike do të ngritën drastikisht. Këto i vështirësojnë jetën qytetarit krahas rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazë që ka përjetuar gjatë muajve të fundit”, ka thënë Mustafa.

Kundër është shprehur edhe PDK-ja, e cila ka hedhur po ashtu kritika ndaj Qeverisë, ndërsa që sipas kësaj partie, me subvencionimin e tarifave dhe reduktimet qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim.

E njësoj mendon edhe AAK-ja, e cila është deklaruar se nuk ka logjikë që të ketë dyfishime të çmimit të rrymës në këtë mënyrë.

“Vetëm disa ditë pasi që kryeministri Kurti thotë se rryma është shtrenjtë në Kosovë, ZRE propozon ngritjen e tarifave, mbi çfarë logjike. Në këtë tarifë sipas të dhënave, mbi 200 mijë familje afektohen. A është analizuar kjo pjesë, kë po e mbron kjo qeveri, a po e mbron qytetarin apo interesin e korporatave?”, ka deklaruar Besnik Tahiri nga kjo parti.

AAK ka ftuar partitë që të bashkohen për këtë, në të kundërtën kanë paralajmëruar protesta.

Kadriaj: Subvencionimi i qytetarëve nuk është i barabartë

Lidhur me rritjen e çmimit, për gazetën “Bota sot” flet eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj. Ai përmend rritjen e çmimeve në të gjithë sektorët, të cilat thotë se janë të dëmshme për qytetarët dhe bizneset.

“Për fat të keq tani po i korrim rezultatet mbi njëzetvjeçare të keqqeverisjes në Kosovë dhe tani jemi para një akti të kryer dhe kush po i bart pasojat – qytetari. Pra, tani kemi ngritje të çmimit në të gjitha produktet jetike duke filluar nga energjia elektrike, produktet e konsumit e te ngjashme, si për qytetarin dhe biznesin, po ashtu qeveria e tanishme shfajësohet që ia kanë lënë pataten e ngrohtë në duar qeveritë paraprake, që është e vërtetë por qytetari i ka dënuar me votë pikërisht për keqqeverisje dhe i ka dhënë kësaj qeverie mandatin si asnjë qeverie tjetër duke shpresuar për ndryshim në favor të qytetarit”, është shprehur ai.

Ai thotë se populli e shpreh mllefin vetëm në rrjete sociale dhe nuk del të protestojë, derisa çmimet rriten e pagat janë të ulëta.

“E keqja më e madhe që populli vetëm sodit dhe eventualisht në rrjete sociale e shpreh mllefin, por nuk ka gatishmëri për të protestuar për një të drejtë jetike dhe shumë demokratike si në çdo vend në Evropë dhe më gjerë e më e rënda që ky popull mbushi sheshet në kampanja politike e kjo shkon në favor të politikës në vend. Përderisa nuk kemi vetëdijesim të qytetarit nuk mund të përmirësohet politika në vend. Si përfundim kemi ngritje të çmimeve, njëherësh paga të ulëta, gatishmëria për të dalë jashtë vendit është shumë e lartë. Këta faktorë janë premisa që në Kosovë më së paku ka perspektivë të jetohet dhe të zhvillohet jeta”, ka vlerësuar profesori.

Përfitojnë bizneset, jo qytetarët

Ai komenton subvencionimin e Qeverisë për kategoritë, ku thotë se më shumë përfitojnë ata që shpenzojnë më shumë, e që janë bizneset.

“Një vendim i Qeverisë në përkrahje të dy kategorive domethënëse për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës duhet të vlerësuar pozitivisht, por duhet të jemi të qartë që ky vendim do ta ndihmojë më shumë biznesin për faktin se biznesi potencialisht shpenzon më shumë dhe mund të arrijë këtë kuotë, ndërsa te ekonomitë familjare nuk do të ndikojë për faktin që jo të gjitha familjet shpenzojnë 600 kWh rrymë. Ndërsa, bizneset pjesa dërmuese po për faktin se përveç prodhimit në këtë stinë dimri, ju hyn në punë edhe për ngrohje”, thekson Kadriaj.

Sipas tij, Kryeministri po e shkel premtimin pasi në këtë rast nuk përkrahen qytetarët dhe kategoritë sociale.

“Pra, potencialisht do të përkrahen zakonisht bizneset me kapacitet të madh të prodhimit dhe aktivitet biznesor, këtu vlen të përmendet që premtimi në përkrahje të kategorive sociale dhe në përgjithësi të qytetarit po e shkel vet kryeministri, pra një vendim i tillë është jo i plotë dhe diferencial ku ekonomitë familjare nuk do të përfitojnë”, thotë Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.