Search

Varhelyi: BE do të rrisë investimet në Ballkan, veçanërisht gjatë krizës energjetike

20 Tetor, 2022


Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të rrisë investimet e tij, veçanërisht gjatë krizës energjetike.

Varhelyi e tha këtë në Parlamentin Evropian dhe sqaroi se qëllimi është që sa më parë të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe qytetarët e tyre që tashmë po paguajnë çmime të larta për energjinë.

“Kohët janë sfiduese, por Bashkimi Evropian ka qëndruar gjithmonë pranë partnerëve të tij. Kriza energjetike është një sfidë e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Kjo është arsyeja pse BE-ja e përfshin këtë rajon në politikat e saj. Bashkimi Evropian ka ftuar Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohet blerjes së përbashkët të energjisë, veçanërisht gazit dhe hidrogjenit. Serbia dhe Maqedonia e Veriut iu bashkuan këtij plani. ‘Repower EU’ synon të reduktojë varësinë nga gazi rus të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Është një emergjencë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë në skemën e ‘shpëtimit të energjisë’ për Ballkanin Perëndimor. Fondet që ne propozojmë do të zgjidhin problemet me të cilat përballet rajoni në një afat të shkurtër. Është shumë e rëndësishme që ta bëjmë këtë këtë dimër. Në kuadër të masave të shkurtra është edhe mbështetja me furnizim me burime energjie, magazinim të energjisë dhe terminale”, tha Varhelyi.

Për investimet afatmesme, Varhelyi tha se këto janë masa që do të mbulojnë projekte të gjera të energjisë së rinovueshme, ngrohje dhe skema të efiçiencës së energjisë në ndërtesa.

Ai po ashtu tha se planifikojnë të ndajnë më shumë mjete për fushën e migracionit.

“Atje kemi qenë nën presion të madh vitet e fundit. BE mirëpret njerëzit që mbërrijnë përmes rrugëve të sigurta, por nuk ka vend për hyrje të paligjshme”, tha Varhelyi.

Ai tha se nuk do të largohet nga Ballkani Perëndimor dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin politikisht dhe financiarisht.

“Marrëdhëniet tona me Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme”, tha Varhelyi.

Këto qëndrime të diplomatit të lartë europian vijnë në kohën kur kryeministri Rama po shton presionin mbi BE për mbështetje financiare mbi rajonin në rastin e krizës energjitike.

“Të mos ndodh si me vaksinat”, thotë ai, ku vazhdimisht potencon faktin se BE la rajonin pa vaksina, ku Shqipëria më pas u detyrua t’i sigurojë nga Turqia.