Search

Turqia e interesuar për investime në sektorin e energjisë në Maqedoninë e Veriut

03 Shkurt, 2023


Turqia është e interesuar të investojë në sektorin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe të rrisë bashkëpunimin me këtë vend në çështjen e furnizimit me gaz natyror në këtë vend.

Ministri i Rinisë dhe Sportit të Türkiye-s Mehmet Muharrem Kasapoğlu në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në takimin e gjashtë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Türkiye-Maqedonia e Veriut, raporton Anadolu.

Në takimin e zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë në Shkup, morën pjesë ministri Kasapoğlu dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe delegacioneve përkatëse të dy vendeve.

Pas takimit të Komisionit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, Kasapoğlu dhe Bekteshi mbajtën një konferencë për media.

Në deklaratën e tij, Kasapoğlu u shpreh se ata zhvilluan një proces jashtëzakonisht efikas dhe efektiv.

Duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut është palë e rëndësishme e interesit dhe partner i Türkiye-s për sa u përket marrëdhënieve historike, kulturore dhe njerëzore, si dhe rëndësisë së saj politike dhe ekonomike, Kasapoğlu tha: “Vëllimi tregtar midis dy vendeve është afruar në 1 miliard dollarë në vitin 2022. Vitin e kaluar eksportet ishin 700 milionë dollarë. Besojmë se këto shifra do të rriten çdo ditë”.

Duke u shprehur se Maqedoninë e Veriut e shohin si një partner të rëndësishëm në fushën e investimeve, Kasapoğlu tha se si rezultat i kësaj, pritet një investim prej 1,2 miliard dollarësh.

“Si Republikë e Türkiye-s, zhvillimi i marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike me Maqedoninë e Veriut është një nga qëllimet tona të rëndësishme. Dëshira jonë është t’i çojmë marrëdhëniet në nivele shumë më të larta. Besojmë shumë se Protokolli i Komisionit të Përbashkët Ekonomik, të cilin e nënshkruam sot, jo vetëm që do të forcojë marrëdhëniet ekzistuese midis Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu do të kontribuojë shumë në rritjen e marrëdhënieve të ardhshme tregtare dhe ekonomike.

Ai u shpreh se janë të lumtur nga memorandumi i mirëkuptimit, veçanërisht në fushën e rinisë dhe sportit, si dhe bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet Türkiye-s dhe NVM-ve të Maqedonisë së Veriut në margjinat e Takimit të Komisionit.

“Në Protokollin e Takimit të 6-të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, kemi shumë bashkëpunime, nga tregtia në industri, nga energjia tek transporti, nga shëndetësia në bujqësi, nga arsimi te NVM-të dhe sigurisht rinia dhe sporti. Ka shumë mundësi. Ka një potencial shumë të fortë. Në këtë kuptim, dëshiroj të shpreh se kemi arritur një marrëveshje”, tha Kasapoğlu.

Në takimet dypalëshe që zhvilloi me Bekteshin, krahas zhvillimit të tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve, mundësive të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, ai theksoi gjithashtu se është diskutuar edhe çështja e përditësimit të marrëveshjes sonë të tregtisë së lirë për ta çuar tregtinë dypalëshe në një nivel të ri.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Bekteshi, shprehu kënaqësinë e tij që ka qenë bashkëkryesues i takimit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik me Kasapoğlu-n dhe tha se këto takime janë të rëndësishme për rritjen e ekonomisë dhe bashkëpunimit të të dyja vendeve.

“Në takimin ku morën pjesë institucione të ndryshme të dy vendeve, biseduam për tema të ndryshme, nga investimet tek inovacioni, zhvillimi teknologjik, energjia, turizmi, rinia dhe sporti, bashkëpunimi mes federatave dhe agjencive tona dhe ministrive”, tha Bekteshi.

Duke u shprehur se do të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, Bekteshi tha: “Republika e Türkiye-s është një nga investitorët më të mëdhenj në vendin tonë. Jam i sigurt se do të vazhdojë në këtë mënyrë. Është angazhim i të gjithë institucioneve, duke filluar nga ky komision, e deri tek institucionet përkatëse në fusha të ndryshme, për të zhvilluar marrëveshjet tona të tregtisë së lirë”.

Duke iu referuar bashkëpunimit në fushën e energjisë, Bekteshi tha se kompanitë turke tregojnë interes të madh për të investuar në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Maqedoninë e Veriut.

Bekteshi gjithashtu nënvizoi se do të diskutohet edhe për çështjen e bashkëpunimit afatgjatë me autoritetet turke në çështjen e furnizimit me gaz natyror në vend.

/aa.com.tr