Search

Tranzicioni i energjisë elektrike në Kosovë – i vështirë dhe me kosto të lartë

27 Prill, 2022


Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur sallonin e së martës me temën “Tranzicioni i energjisë elektrike në Kosovë: Korniza strategjike dhe investimet që ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë diskutim, u tha se Kosova është vendi me resurset më të pakta ujore në Evropë, e cila e vështirëson konsiderueshë një tranzicion të shpejtë të energjisë elektrike.

Gjithashtu, u kërkua Kosova të kalojë nga thëngjilli në gazin natyror, pasi sektori i energjisë konsiderohet si ndotësi më i madh në Kosovë.

Sabit Gashi nga Divizioni për Energji në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, tha se tranzicioni i energjisë elektrike në Kosovë do të jetë mjaft sfidues dhe padyshim do të përcillet me kosto të lartë.

Poashtu, tranzicioni bëhet edhe më i vëshitrë kur i shtohet këtu se Kosova nuk është e pasur me burime hidrike, sic është Shqipëria që mund të shfrytëzoj burimet e saj të ujit për ndërtuar kapacitete të konsiderueshme të prodhimit të energjisë elektrike.

“Tranzicioni i energjisë në Kosovë konsideroj që është një vend specifik që karakterizohet me zhvillim të ulët ekonomik. Në kuptimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe është një sfidë goxha e madhe. Kur jemi te energjia elektrike, kryesisht konsumi mbulohet nga prodhimi vendor me një masë prej 84 për qind dhe një masë dërmuese mbulohet nga thëngjilli. Kur kemi parasysh që tranzicioni drejtë gjelbërimit të energjisë që është heqja e varësisht nga fosilet dhe duke pas parasysh rrethanat që ndodhemi, atëherë kjo sfidë do të bëhet mjaft e madhe edhe me vendet me ekonomi shumë të zhvilluar siç është Polonia e lëre më Kosova”.

“Kosova është vendi me resurset më të pakta ujore në Evropë dhe ku krijimi i kushteve për integrimin e teknologjisë së gjelbërt është mjaft me kosto të lartë në kushtet ku burimet ujore i kemi shumë të kufizuara”, tha Gashi.

Gashi tha se Kosova e ka ndërtuar një bazë ligjore të mirë për të hapur tregun e energjisë.

“Ka të zhvilluar kapacitetet profesionale në krahasim me të kaluarën, tashmë kemi të strukturat, ministrinë e rregullatorin. Ka një kornizë ligjore te krahasueshme te palët kontraktuese të komitetit të energjisë”.

“Kosova ka pak burime fleksibile po që akomodojnë lehtë kapacitetet ose teknologjitë. Duhet të orientohemi në tregun rajonal të energjisë dhe kryesisht në bashkëpunimin me republikën e Shqipërisë. Duhet të mendojmë të zhvillojmë kapacitete vendore fleksibile, për akullimin e energjisë”, tha Gashi.

E Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se sektori i energjisë është ndotësi më i madh në Kosovë. E krahas kësaj, ai kërkoi që sa më shpejtë Kosova duhet të shkojë drejtë burimeve miqësore me ambientin, e duke u larguar nga thëngjilli.

“Në Kosovë sektori që shkakton ndotjen më të madhe është sektori i energjisë. Një sektor i tillë duke marrë parasysh edhe vjetërsinë e termocentraleve por edhe të filtrave, është sektori që shkakton dëme të mëdha në aspekte mjedisore. Duhet të shkojmë përpara drejt burimeve që janë miqësore me ambientin, pra tranzicioni energjetik në një vend është mjaft ambicioz dhe i vështirë”, tha Gjocaj.

“Në aspektin e një trancizioni më të shpejtë të kalojmë nga thëngjilli në gazin natyror. Në aspektin ekonomik e kemi pa që një gjë e tillë është e mundshme ani pse është e kushtueshme”.

Gjocaj foli për ndotjen që zakonisht bëhet gjatë dimrit. Ai tha se në këtë kohë, Kosova radhitet në top pesë vendet më të ndotura në botë.

“Burimet e ripërtritshme vetëm sa e shtojnë kapacitetet gjeneruese, të cilat më pastaj do të kishim edhe stabilitet me të madh energjetik. Mirëpo e kanë një mangësi tjetër që janë devijimet. Kjo është një prej arsye pse ne kemi promovuar gazin, për shkak se centrali i gazit është më lehtë i vyeshëm në punë, dhe mbulimin e devijimeve. Burimet e ripertrishme të energjisë do të ndihmonin qytetarët të vendit me hapjen e reja të punës”, tha ai.

“Për me dit se si kish me ndiku mundemi me pa gjatë dimrit. Sidomos gjatë këtij dimri kemi arritur rekorde, ka qenë shumë më e favorshme që qytetarët e Kosovës të ngrohen me energji elektrikë. Kosova shpesh here renditet në top 5 vendet më të ndotura në botë”, tha tutje Gjocaj.

“Kosova ka përqindjen më të lartë të gjenerimit të energjisë nga thëngjilli. Sot kemi mjete financiare prej 9 miliardë euro po vetëm a kemi projekte të mira, konkrete e adekuate për sistemin e energjisë”, tha ai.