Search

Themelohet Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike – ALPEX

06 Tetor, 2020


Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it Ilir M.Shala dhe Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar (OST) Skerdi Drenova nënshkruan Marrëveshjen e Aksionarëve për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) si dhe miratuan Statutin e saj.

Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) shënon një standard të ri të operimit në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare si dhe pritet që çmimi i energjisë elektrike do të ulet për qytetarët e të dyja vendeve.

Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Aksionarëve, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala theksoi se në vazhdimësi të bashkëpunimit në mes të KOSTT dhe OST, ne sot po e konkretizojmë edhe një bashkëpunim të radhës.

“Kjo është një ditë tjetër historike për ne dhe është hap tjetër drejt integrimit të mëtutjeshëm në tregun e integruar evropian të energjisë elektrike, ku ne po synojmë të arrijmë. Përgëzoj grupet punuese të KOSTT dhe OST, përfaqësuesit e ministrive përkatëse, ZRRE dhe ERE për punën ekipore dhe profesionale të bërë ndër vite si dhe falënderoj përzemërsisht Ambasadën Amerikane, USAID, Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë (Vjenë) dhe miqtë tjerë për përkrahjen e dhënë”, ka theskuar Shala.

Ndërsa Administratori i OST Shqipëri z. Skerdi Drenova theksoi se Bursa Shqiptare e Energjisë do t’i hapë rrugë perspektivës për tregtimin e energjisë në të dy vendet me çmime të parregulluara duke krijuar mundësi të mëdha në përfitime ekonomike të prodhuesve dhe përdoruesve të energjisë elektrike.

Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë është në përputhje me politikat e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për liberalizim të tregut të energjisë si dhe një nga objektivat e pakos së tretë të direktivave të Bashkimit Evropian për themelimin e Tregut të Brendshëm Evropian të Energjisë Elektrike (“IEM”) si dhe të vendimeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit përkatësisht Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë për themelimin e operatorit (bursës) për operimin dhe rrjedhimisht bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike një Ditë Para (DAM) dhe Brenda ditës (IDM), në një treg rajonal.

Përveç tjerash ALPEX do të inkurajojë investime të reja në gjenerimin e energjisë elektrike dhe në rrjetet e transmetimit në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dyja vendet.