Search

Termocentralet shtetërore nuk tregojnë se cili do të jetë çmimi që do t’ia shesin rrymën EVN-së

09 Qershor, 2022


Termocentralet shtetërore do të sigurojnë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për furnizuesin universal EVN Home, por me çfarë çmimi dhe sa është rritur nga çmimi aktual, drejtori Vasko Kovaçevski nuk tregoi.

Pavarësisht krizës energjetike, të cilën ai thotë se do ta ndjejmë sezonin e ardhshëm të ngrohjes, qytetarët e Maqedonisë prapëseprapë nuk do të ndjenin goditje të re të çmimeve.

“Jam i bindur se çmimi që do ta ofrojmë më 24 qershor në tenderin e EVN Home do të jetë 100% furnizim i energjisë elektrike dhe çmim që nuk do të shkaktojë turbulenca apo rritje të mëdha”, tha Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV.

Ekspertët nga ana tjetër nuk janë dakord me formimin e të ashtuquajturve “blloqe tarifore” ose kalkulime përmes të cilave ai që shpenzon më shumë, do të paguajë më shumë. Profesorët me përvojë në fushën e energjisë kishin mosmarrëveshje për pothuajse të gjitha çështjet që kishin të bënin me mënyrën e re të përgatitjes së përllogaritjeve të konsumit të energjisë.

“Asnjëherë nuk është thënë se çmimi në tarifën e ulët do të jetë 50 për qind më i lartë. Kjo nuk është e saktë. Nuk është thënë kështu”, tha Rubin Taleski- profesor universitar.

“Vetëm le të thotë nëse nuk është 50% rritje e tarifës së natës kur raporti ditë– natë 1 kundrejt 1-3. Mirë…. por…. nuk ka por”, u shpreh Konstantin Dimitrov, themelues i MACEF.

Ajo që është më shqetësuese në pjesën e energjetikës në vend është se prodhimi vendor i energjisë elektrike ka rënë në mënyrë drastike krahasuar me periudhën e 10 viteve më parë.

Nëse atëherë në vend energjia elektrike e importuar ishte 10 për qind e sasisë së nevojshme për të plotësuar nevojat e konsumatorëve, tani në disa pjesë të vitit importi kalon 40 për qind.

//Alsat.mk