Search

Studimi i ri: burrat ndotin më shumë se gratë

26 Korrik, 2021


Ndërsa tjerët paragjykojnë gratë si gjininë që pëlqen më shumë të bëjë shoping dhe kësisoji – shkaktojnë më shumë emetime, një studim i ri në Suedi tregon se burrat emetojnë më shumë dioksid karboni se gratë.

Studimi i ri, i publikuar nga Journal of Industrial Ecology, ka hulumtuar mbi emetimet e karbonit të shkaktuara nga konsumimi i një numri kategorish të produkteve, sikurse ushqimi, veshmbathja, mobiljet dhe pushimet.

Rezultatet e studimit kanë treguar se gratë dhe burrat shpenzojnë vlera të njejta parash, por produktet e blera nga burrat lirojnë 16% më shumë emetime.

Kjo pasi burrat shpenzojnë në kategori me shumë emetime, sikurse në derivate për vetura, ndërsa gratë shpenzojnë në produkte me më pak emetime, sikurse në produkte të kujdesit shëndetësor, veshmbathje dhe mobilje.

Studimi thotë se 50% të emetimeve të bazuara në konsum mund të shmangen duke bërë zgjidhje tjera, sikurse në rastin e burrave, duke përdorur transportin publik në vend të veturave.

Një studim tjetër i mëhershëm ka treguar se burrat shpenzojnë më shumë energji se gratë, dhe edhe kjo ndikon në rritjen e emetimeve të karbonit.