Search

Startup-i holandez nis prodhimin e makinës së fuqizuar nga energjia diellore

05 Dhjetor, 2022


Startup-i Lightyear nga Holanda sapo ka nisur prodhimin e serisë së parë të makinave elektrike të cilat e gjenerojnë energjinë e tyre direkt nga dielli.

Makina Lightyear 0 vjen me një çmim prej $259,000 dhe deri më tani janë bërë 150 porosi.

Plani i kompanisë është të prodhojë rreth 1,000 makina të tilla në fabrikën Valmet Automotive Oyj në Finlandë, duke nisur me një makinë në javë. Deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, prodhimi duhet të rritet deri në 5 makina në javë, sipas CEOs Lex Hoefsloot.

Lightyear 0 vjen me një panel të harkuar diellor në pjesën e sipërme të makinës dhe bagazhin e pasëm, dhe është në gjendje të udhëtojë deri në 2 muaj pa u karikuar asnjëherë gjatë muajit të verës në Amsterdam, ndërkohë që në Portugali makina mund të udhëtojë deri në 7 muaj pa u karikuar. Energjia e siguruar nga panelet diellore mund të shtojë rreth 70 kilometra autonomi çdo ditë.

Makinat e fuqizuara nga dielli prej kohësh nuk kanë arritur të shkojnë përtej fazës së “prototipit” për shkak të hapësirës së madhe që panelet diellore duhet të zënë në makinë.

“Për momentin ne jemi në një fazë më të avancuar falë investimeve që erdhën nga Holanda.” tregon Hoefsloot. Në shtator të këtij viti Lightyear siguroi $85 milionë nga një grup investitorësh vendas.