Search

Sindikata e minatorëve në SHBA pajtohet me politikat energjetike të Biden në këmbim të trajnimeve

20 Prill, 2021


Udhëheqësit e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Amerikës kanë thënë se do të përkrahin politikat e gjelbërta energjetike të Presidentit Biden në këmbim të një strategjie të fortë të tranzicionit.

Sindikata shpreson që edhe anëtarët e saj do të mbështesin tranzicionin dhe kalimin në vende të reja të punës, ndërsa minierat e linjitit do të mbyllen për shkak të politikave të gjelbërta energjetike të Biden.

Nga frika e rregullimeve dhe ndryshimeve të mëtejshme të sektorit energjetik nga administrata e Biden, Sindikata ka kërkuar nga Kongresi të alokojë fonde për trajnim dhe të krijojë vende pune me pagesë për minatorët që kanë dhe / ose do të humbin vendet e punës.

Kërkesa e sindikalistëve është përkrahur edhe nga Senatori Joe Manchin, njëherit kryetar i Komitetit të Senatit për Energji dhe Burime Natyrore.

‘Ne jemi duke u përpjekur që para së gjithash të përfshijmë minatorët në biseda dhe në planifikim, sepse shumë minatorë dhe familje të tyre kanë pësuar humbje të mëdha për shkak të politikave të gjelbërta energjetike’, ka thënë udhëheqësi i Sindikatës së Minatroëve të Bashkuar të Amerikës, Cecil Roberts.

Por, të shumtë janë minatorët që hezitojnë të pranojnë këto ndryshime.

‘Nuk është e drejtë t’i mirret dikujt puna dhe të detyrohet të punojë dicka tjetër’, ka thënë Ryan Cottrell, minatory dhe anëtar i sindikatës në Harrison County, Uest Virgjinia. ‘Une e dua punën time. Nuk do e zëvendësoja me asgjë në botë. Dhe shpresoj që nxjerrja e qymyrit do të vazhdojë edhe për shumë gjenerata”.

Disa anëtarë progresistë të Kongresit po vazhdojnë presionin mbi Bidenin, ndërsa i fundit po përballet me vendime të vështira që kanë të bëjnë me ruajtjen e vendeve të punës në industritë sikurse qymyri dhe tranzicionin energjetik në burime të pastërta të energjisë.

Industria e qymyrit është ballafaquar me rënie të madhe për dekada dhe numri i minatorëve nga viti 2012 është përgjysmuar, ndërsa vazhdon lufta ndërmjet aktivistëve mjedisorë dhe industrisë së karburanteve fosile.

Sindikata gjithashtu ka kërkuar nga Kongresi dhe administrate e Biden të investojë në teknologjitë që e bëjnë qymyrin më të pastër për të mbështetur mbijetesën e industrisë.

Ata kanë kërkuar investimin në teknologji të ndryshme, sikurse në ato të kapjes së karbonit ndërsa kjo e fundit kundërshtohet nga grupet ambientaliste, të cilët thonë se më mirë do të ishte sikurse ato fonde të investoheshin në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme.

Minatori Cottrell thotë se ndikimi i këtyre politikave në jetërat e minatorëve është më i madh se që njerëzit mendojnë.

‘Çdo mëngjes zgjohem me frikën se do të humbas vendin e punës pasi kompania nuk është në gjendje të prodhojë qymyrin në mënyrë të sigurtë dhe efikase për shkak të rregulloreve’, ka thënë Cottrell.

Në planin e tij infrastrukturor prej 2 trilion dollarësh, Biden ka propozuar rritjen e investimeve në energjinë e gjelbër sikurse në erë, solare dhe në projekte tjera të energjisë së ripërtëritshme. Në përpjekje për të ndihmuar tranzicionin e të punësuarëve të industrisë së karburanteve fosile në pozita të reja të punës, plani gjithashtu përfshinë investime miliardëshe në punësimin e të punësuarëve në industrinë e qymyrit, naftës dhe gazit.

Qymyri vazhdon të ketë pozitë të rëndësishme në shumë vende në SHBA, duke përfshirë edhe Uest Virgjinian. Paga në sektor janë mesatarisht 75 mijë dollar në vit, apo më të larta se të ardhurat mesatare.

‘Unë nuk dyshoj se Presidenti Biden dëshiron të krijojë vende të mira pune por për momentin, vendet e punës që po diskutohen nuk paguhen mirë, apo shumë më ulët se ajo që Minatorët përfitojnë tani’, ka thënë Roberts nga sindikata.

Disa avokues ambientalsitë dhe anëtarë të Kongresit që kërkojnë mbylljen e industrisë së qymyrit kanë kritikuar Bidenin për planin e tij, duke thënë se nuk është i mjaftueshëm për t’u ballafaquar me ndryshimet klimatike.

Minatorët gjithashtu thonë se padrejtësisht janë shenjësuar si kontribuesit më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike.

‘Është shumë e vështirë, në fakt, unë edhe e mirëkuptoj nevojën për energji të pastër. Askush nuk ka dëshirë të shikojë planetin se sip o shkatërrohet. Ne nuk dëshirojmë që kjo të bëhet për fajin tonë, dhe definitivisht, jo e gjitha shkaktohet nga ne. Duket sikurse gjithmonë kemi qenë të shënjestruar, madje shumë më shumë se tjerët’, ka thënë Gary Campbell, minatory në Marion County, Uest Virgjinia, që ka trasheguar këtë vend pune nga babai i tij, që gjithë jetën ishte minatorë.

Campbell ka thënë se do të pranojë të bëhet pjesë e trajnimeve në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në mungesë të zgjidhjeve tjera.

‘Nuk është se po braktisi qymyrin, por jam i vetdijshëm që ky vend pune do të shuhet së shpejti dhe do të më duhet të kërkojë zgjidhje diku tjetër, energji solare apo cfarëdo që është’, ka thënë Campbell.

Në fund të vitit të kaluar, Komisioni i Shërbimeve Publike në Uest Virgjinia ka dhuruar certifikatë në vlerë prej 90 milion eurosh për një kompani solare për të zhvilluar projekt të madh solar ndërsa minierat e qymyrit vazhdojnë mbylljen.

Minatori Cottrell kujton mungesën e madhe të rrymës në shkurt të këtij viti, që la miliona banorë të Teksasit pa ngrohje dhe ujë, pasi energji e ripërtëritshme nuk është po aq e besueshme sa edhe qymyri.

‘Njerëzit harrojnë se cfarë kanë bërë minatorët e qymyri gjatë gjithë historisë së njerëzimit… gjatë luftërave dhe shumë periudhave tjera’, ka thënë Campbell.

‘Në një mënyrë, ne kemi mundësuar zhvillimin e SHBA-ve dhe këtë zhvillim vazhdojmë ta ndjejmë edhe sot, por fatkeqësisht, të gjitha kanë harruar për kontributin’, ka thënë Campbell në fund.