Search

Si bëhet kërkesa për pasivizim/mbyllje të llogarisë?

24 Gusht, 2021


Nëse një shtëpi apo çfarëdo objekti nuk ka më nevojë për furnizim me energji elektrike, është e rëndësishme që të bëni kërkesë për mbyllje të asaj llogarie, me ç’rast do të largohet njehsori dhe do të ndalet faturimi për atë llogari përkatëse.

Ta zëmë e keni pasur të hapur një lokal, dhe tani keni vendosur ta mbyllni, e meqë nuk keni më nevojë për energji elektrike, atëherë ju duhet të bëni kërkesë për mbyllje të llogarisë në KESCO.

Kërkesa për mbyllje të llogarisë mund të bëhet edhe kur: Në një objekt nuk jeton më askush dhe ju nuk dëshironi të faturoheni për energji elektrike muaj për muaj; një objekt është duke u rrënuar dhe ju kërkoni që ai njehsor të hiqet përgjithmonë nga vendi ku gjendet, etj.

Për të bërë këtë kërkesë ju duhet të vizitoni sportelet e KESCO-s, në qytetin tuaj. Ndërsa hapat që duhet ndjekur për realizimin e kësaj kërkese janë:

  1. Me vete duhet ta keni një dokument identifikues dhe autorizimin noterial nëse aplikoni për dikë tjetër. Është e rëndësishme që personi në emrin e të cilit gjendet llogaria për të cilën kërkohet të bëhet pasivizimi, të vijë dhe të bëjë kërkesën personalisht ose të ketë autorizimin noterial.
  2. Merrni me vete fletëpagesën që dëshmon pagesën e borxhit në tërësi. Kjo sepse një llogari mund të pasivizohet vetëm atëherë kur borxhi i asaj llogarie është zero.
  3. Plotësoni formën e kërkesës që e merrni në sportelet tona dhe e dorëzoni atë të plotësuar. Gjatë plotësimit të formës është e nevojshme t’i shtoni të dhënat përkatëse duke përfshirë: Të dhënat personale, si dhe shifrën përkatëse të llogarisë tuaj.

Disa rregulla të rëndësishme për kërkesat për mbyllje të llogarisë, janë:

  • Gjatë shkyçjes dhe heqjes së njehsorit nga vendi i ngjarjes, konsumatori duhet të jetë i pranishëm.
  • Po ashtu, është e rëndësishme ta dini se njehsori që hiqet nga ai vendbanim, dërgohet në laborator të kalibrimit apo testimit konform procedurave në fuqi.
  • Në rast se ka kW/h të grumbulluar dhe të pafaturuar sipas rezultateve të testimit nga qendra e kalibrimit, konsumatori është përgjegjës për përmbushjen e të gjitha detyrimeve financiare dhe ligjore rreth pikës matëse/njehsorit në fjalë.

Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për mbyllje të llogarisë edhe online, përmes aplikacionit eKesco. Kjo bëhet duke zgjedhur opsionin kërkesa dhe ankesa në menynë kryesore të këtij aplikacioni.

Vini re, se në momentin kur konsumatori nuk e bën kërkesën për pasivizim apo mbyllje të llogarisë në KESCO, ajo llogari konsiderohet rrjedhëse dhe për këtë arsye faturohet tarifë fikse në fund të çdo muaji.

Po ashtu është e rëndësishme ta dini që nëse një llogari ka qëndruar e mbyllur apo e pasivizuar, për jo më gjatë se 24 muaj, të njëjtën mund ta ri-aktivizoni duke bërë kërkesën për aktivizim në KESCO.

Po ashtu mbani mend që mbyllja e llogarisë është masë më e përhershme, kështu që ju lusim të siguroheni që energjia elektrike nuk nevojitet përfundimisht në atë objekt për të cilin bëhet kërkesa për pasivizim.

//KESCO-ENERGY.COM