Search

Shkatërrohet një digë e rëndësishme në Ukrain, shkakton përmbytje dhe rrezikon centralin bërthamor të zonës

06 Qershor, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 4 minuta

Një digë në pjesën e kontrolluar nga Rusia të Ukrainës jugore është dëmtuar nga bombardimet, duke çuar në përmbytje në zonën tashmë të goditur nga konflikti prej disa muajsh dhe duke rrezikuar centralin bërthamor Zaporizhzhias.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët ukrainas dhe rusë fajësuan njëri-tjetrin për shkatërrimin e digës Kakhovka në rajonin jugor të Khersonit.

“Kakhovka (diga) u hodh në erë nga forcat pushtuese ruse”, tha komanda Jugore e Forcave të Armatosura të Ukrainës të martën në faqen e saj në Facebook.

Ministria e Brendshme e Ukrainës u bëri thirrje banorëve të 10 fshatrave në bregun e djathtë të lumit Dnipro dhe pjesëve të qytetit të Kherson që të mbledhin “dokumentet thelbësore dhe kafshët shtëpiake, të fikin pajisjet dhe të largohen”.

E agjencitë ruse të lajmeve thanë se diga, e kontrolluar nga forcat ruse, ishte shkatërruar nga granatimet ukrainase, ndërsa një zyrtar i instaluar nga Rusia tha se ishte një “sulm terrorist”.

Ndërkohë është bërë e ditur se Volodymyr Zelenskyy do të mbajë një takim urgjent pas granatimit të digës.

Energoatom, agjencia shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, reagoi ndaj shkatërrimit të digës Nova Kahovka, duke thënë se “ulja e shpejtë” e nivelit të ujit në rezervuar “përfaqëson një rrezik shtesë për centralin bërthamor i Zaporizhzhias i pushtuar përkohësisht”, transmeton Telegrafi.

Deri më tani, pishina ftohëse e centralit bërthamor është plot, thuhet në njoftimin për shtyp. Uji nga rezervuari që mban diga e shkatërruar thuhet se nevojitet për sistemet e sigurisë të centralit bërthamor të Zaporizhzhias, përndryshe më i madhi në Evropë.

// Telegrafi