Search

Shefi i UN kërkon anulimin e të gjitha projekteve të planifikuara të qymyrit në botë, Britania hapë minierë të re qymyri

04 Mars, 2021


Të gjitha projektet e planifikuara të qymyrit në botë duhet të anulohen sa më shpejtë që është e mundur për të larguar varësinë ndaj karburantit më ndotës fosil, ka kërkuar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.

Largimi i përdorimit të qymyrit nga sektori i energjisë është hapi më i rëndësishëm në luftën kundër ngrohjes globale, ka shtuar Guterres gjatë samitit të ‘Aleancës për fuqizim pas qymyrit – PPCA’ të qeverive dhe bizneseve që bashkëpunojnë për largimin e qymyrit për prodhim të rrymës.

PPCA është themeluar nga Britania dhe Kanada në vitin 2017. Ndërsa Britania është në rrugën e largimit të përdorimit të qymyrit në termocentrale para vitit 2024, ajo ishte kritikuar shumë së fundmi për lejimin e operimit të minierës së qymyrit në Kumbria, e cila do të prodhojë lloj të qymyrit që përdoret në industrinë e ¬çelikut.

Në samitin e fundit, PPCA ka pranuar edhe dy anëtarë të rinj, Hungarinë dhe Uruguajin. Të gjithë anëtarët e PPCA janë pajtuar të ndalojnë djegien e qymyrit deri në vitin 2030 si dhe të ndikojnë në zvogëlimin e përdorimin e tij në gjithë botën për 80 për qind.

‘Sot ftoj të gjitha qeveritë, kompanitë private dhe autoritetet lokale të ndërmarrin tre hapa. Të anulojnë të gjitha projektet e qymyrit dhe të largojnë varësinë ndaj qymyrit. Të përfundojnë të gjitha financimet ndërkombëtare për termocentralet me qymyr si dhe të rrisin përpjekjet për të mundësuar tranzicion të drejtë, duke analizuar secilin termocentral ndaras nëse kështu nevojitet’, ka thënë Guterres gjatë samitit.

‘Tani që kemi kaluar më shumë se 5,000 orë pa përdorim të qymyrit për prodhim të energjisë vitin e kaluar, Britania është duke vazhduar rrugën para larg përdorimit të qymyrit për prodhim të energjisë duke investuar në potencialet e jashtzakonshme të teknologjive të pastërta’, ka thënë Ministrja e Energjisë në Britani, Anne-Marie Trevelyan.

Por, fjalët e Ministres për Energji në Britani u kritikuan nga pjesëmarrësit e shoqërisë civile.

‘Britania supozohet se është udhëheqëse e kësaj aleance, por ne po i rikthehemi qymyrit. Boris Johnson do të ketë probleme serioze morale dhe të kredibilitetit në rast se vazhdon me planet për ndërtimin e minierës së re në Kumbria. Për këtë nevojitet reagim nga udhëheqësit botëror dhe organizatorët e konferencës së këtij viti’, ka thënë Doug Parr nga Greenpeace në Britani.

Një ndër aktivistët më të shquar të mjedisit në Britani kishte thënë se pamundësia e qeverisë në Britani të ndalojë planet për ndërtimin e minierës së re është qesharake. Në anën tjetër, përkrahësit e ndërtimit të kësaj miniere me vlerë prej 165 milion funtash thonë se miniera do të punësojë mbi 500 persona.

Miniera e planifikuar pritet të ndërtojë 2.7 milion ton qymyr në vit, ndërsa rreth 85 për qind e prodhimit është e destinuar për eksport.

E ndërsa pjesëmarrësit po e kritikonin për planet për hapjen e tri minierave të reja të qymyrit në Alberta, Ministrja e Mjedisit e Kanadës, Jonathan Uilkinson, tha se vetëm duke bashkëpunuar mund të ndërtohet e ardhme më e shëndetshme për fëmijët.