Search

Serbia do të shtojë 400MW kapacitete solare, ankandet deri në fund të vitit

15 Prill, 2021


Projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga burime solare me kapacitet të instaluar prej 400 megavatësh janë në pritje në Serbi, ndërsa ankandet e para për burime solare dhe të erës janë paralajmëruar për deri në fund të vitit, është thënë nga pjesëmarrësit e konferencës së parë për energjinë solare në Serbi.

Prioritet do ti ipet zhvillimit të projekteve solare në kulme të shtëpive, ndërtesave rezidenciale, strukturave të kompanive dhe ndërtesave publike, si dhe minierave të braktisura të qymyrit.

Konferenca e parë për energjinë solare në Serbi është organizuar nga Balkan Green Energy News dhe është mbajtur në Beograd. Konferencë është ndjekur nga mbi 1,000 persona përmes platformave online.

Ligji i propozuar për burime të ripërtëritshme të energjisë dhe ndryshimet në Ligjin për Energji në sjellin ndryshime substanciale në zhvillimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme në Serbi, e në vecanti të energjisë solare. Parlamenti serb pritet të votojë ligjin dhe ndryshimet gjatë kësaj jave.

‘Ne do të bëjmë gjithcka është e mundur për të mundësuar mbajtjen e ankandeve të para për energji të ripërtëritshme deri në fund të vitit. Qeveria ka për qëllim të përfshijë shumë pjesëmarrës në mënyrë që gara të jetë e mirë dhe cmimet sa më të ulëta’, ka thënë Jovanka Atanackovic, zyrtare nga MInistria për Miniera dhe Energji.

Ajo ka shtuar se ankandet do të mbahen të ndara për energji solare dhe energji të erës.

E në lidhje me kuotat që do të përcaktojnë ankandet, Atanackovic ka shtuar se ato do të vendosen duke u bazuar në qëllimin e përgjithshëm të zëvendësimit të termocentraleve me qymyr me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 4.4 gigavatësh deri në vitin 2050.

Ajo ka thënë se për të arritur këto qëllime, do të nevojitet zhvillimi i projekteve të ripërtëritshme me kapacitet të instaluar prej 8 deri në 10 gigavat.

Përvec ankandeve, Serbia po shqyrton edhe mundësinë e vendosjes së partneriteteve strategjike përmes tenderimit si model për të arritur qëllimet e energjisë së gjelbër. Këto lloje partneritetesh mund të përfshijnë vendosjen e paneleve solar në kulme të ndërtesave publike dhe të pronave shtetërore, si dhe përmes projekteve të përbashkëta me kompanitë në pronësi shtetërore.

Atanackovic ka thënë se amvisëritë dhe bizneset do të kenë mundësinë të bëhen ‘prosumerë’ ose të gjenerojnë energji elektrike për konsum vetanak. Balansimi i energjisë së konsumuar nga sistemi dhe sasive të energjisë të shpërndara në rrjet do të jetë shumë e favorshme për qytetarët, ndërsa korniza e re ligjore do të lehtësojë edhe shndërrimin e kompanive në prosumerë.

E në lidhje me projektet e reja që kanë shprehur interesimin, Marko Jankovic, udhëheqës i tregut të energjisë elektrike në operatorin e transmisionit të Serbisë (EMS) ka thënë se kjo kompani ka pranuar kërkesa për ndërlidhjen e projekteve të ripërtëritshme me kapacitet prej 4.5 gigavatësh, 400 megavat nga të cilat janë projekte solare.

Kjo vlerë është shumë e vogël krahasuar me projektet e erës, por e mjaftueshme nëse merret parasysh fakti se Serbia ka vetëm 20 megavat kapacitete të instaluara të energjisë solare, ka shtuar Jankovic.

Ndërmarrja Al Pack nuk ka pritur për ndryshimet ligjore, ajo tani më ka filluar instalimin e projektit solar në kulme të shtëpive me kapacitet të instaluar prej 1.1 megavatësh. Projekti është i pari i këtij lloji në Serbi.

Përfaqësues të projektit kanë thënë se projekti do të ishte shumë më i madh në mungesë të kufizimeve rregullative dhe nëse kulmi do të ishte më i madh.