Search

Rumania shtynë afatin për mbylljen e dy termocentraleve me thëngjill

09 Nëntor, 2022


Dy njësi me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 660 megavatësh në termocentralet me thëngjill Turceni dhe Rovinari nuk do të mbyllen deri në fund të këtij viti siç ishte planifikuar, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes shtetërore energjetike në Rumani, CE Oltenia.

Plani tejet ambicioz kombëtar i rimëkëmbjes i Rumanisë tashmë është miratuar në Bruksel. Miratimi i këtij plani kishte hasur në vështirësi, kryesisht për shkak të ndihmës masive shtetërore të planifikuar të Rumanisë për kompleksin energjetik me thëngjill, Complexul Energetic Oltenia, raporton Balkan Green Energy News.

Por, si duket Rumania nuk do të përmbushë objektivat e përcaktuara në këtë plan, pasi nuk është në gjendje të mbyllë dy njësitë prodhuese të rrymës nga thëngjilli.

Gjithandej Evropës, vendet janë duke vënë termocentralet në gjendje gatishmërie dhe duke shtyrë mbylljen e tyre, me qëllim të sigurimit të furnizimit me rrymë gjatë krizës energjetike. Kur Bosna dhe Hercegovina kishte vendosur të shtyjë operimin e dy termocentraleve me qymyr, Komuniteti i Energjisë ishte përgjigjur duke filluar procedura ndaj qeverisë së këtij vendi.

Rumania, që tashmë po ka vështirësi në përmbushjen e objektivave të përcaktuara energjetike si dhe thithjen e fondeve nga plani kombëtar për rimëkëmbje dhe burime tjera të BE-së, është duke tentuar të rinegociojë kushtet me BE-në, transmeton Kosovo.Energy.

Dy njësitë e prodhimit të rrymës me thëngjill në Rovinari dhe Turceni kanë fuqi të instaluar prej 660 megavatësh. Ndërmarrja CE Oltenia ka nëntë termocentrale që menaxhon, me fuqi të instaluar prej 2.6 gigavatësh.

Në vitin 2023, sipas planeve, kjo ndërmarrje duhe të kishte aktive vetëm pesë njësi të termocentraleve me thëngjill ndërsa dy tjera në rezervë.