Search

Rritja e çmimit rrezikon ndërmarrjet prodhuese në Shqipëri

19 Shtator, 2022


Shtrenjtimi i çmimit të energjisë po rrezikon falimentimin e kompanive të përpunimit të qumështit që kanë dalë në tregun e liberalizuar prej vitit 2018.

Fabrika e përpunimit të qumështit “Erzeni” e ngritur në fshatin Samaticë të Beratit prej 4 ditësh është njoftuar nga kompania private e furnizimit të energjisë se tarifa e shërbimit për periudhën 3 mujore nga 1 tetori 2022 deri 31 dhjetor 2022 do të jetë 59,5 për kWh (pa TVSH). Krahasuar me periudhën para 2021 rritja e çmimit është rreth 7,5 herë më e lartë, ndërsa në raport me çmimin e ndryshuar të muajit janar 2022 rritja është 75%.

Nga 1 janari 2022 kompania paguan mesatarisht faturë mujore për energjinë elektrike 10 mln lekë nga 2 deri 3 mln lekë që ishte vitin e kaluar. Konsumi mujor i kompanisë varion 200,000-250,000 kwh. Me çmimin e ri fatura mujore për këtë fabrikë do të jetë 17,8 mln lekë (e llogaritur me konsumin 250,000 kWh x 59,5 çmimi i ri i energjisë + 20% TVSH).

Përfaqësuesi i fabrikës Saimir Begaj pohon për “Monitor” se rritja e çmimit do të jetë katastrofike dhe rrezikon falimentimin për kompaninë, në një kohë kur sektori prej muajsh po vuan shtim të kostove nga shtrenjtimi i qumështit të fermerit, të naftës për transport, të dyfishimit të plastikës dhe qelqit. Në këtë situatë Begaj thotë së është e nevojshme të merren masa nga institucionet shtetërorë me qëllim që kompania të mos diskriminohet, por të përcaktohet çmim i njëjtë, si për kompanitë e tjera përpunuese të qumështit.

Në vitin 2018 kur nisi procesi i liberalizimit të tregut, drejtuesit e fabrikës “Erzeni” për shkak të linjave të amortizuara të transmetimit të energjisë në një terren malor të Beratit u përballën me pamundësinë për të vënë në punë makineritë e teknologjisë moderne, çka i detyroi ata të kalonin si subjekt i lidhur në tensionin e lartë 35 kilovolt, për të garantuar furnizimin e sigurt me energji.

Begaj shton se prej 4 vitesh në treg të lirë, procesi i liberalizimit ka pasur edhe anët pozitive, sepse humbjet e energjisë janë më të ulëta, por favorizimi nga ky proces është 2 deri 3%, sipas tij, pasi gropa e humbjeve është e madhe, duke qenë në kushte jo të barabartë me kompanitë e tjera që furnizohen me çmime preferenciale.

Kompania “Erzeni” është pjesë e grupit prej mbi 90 subjekte të lidhura në tensionin e lartë 35 kilovolt, të cilat, sipas ligjit, prej vitet 2018 sigurojnë energjinë nga një furnizues privat, duke u shkëputur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Para vitit 2021, çmimi i energjisë elektrike për këtë kompani ishte 8 lekë për kWh. Më pas, nga 1 korriku 2021, çmimi u rrit 62,5%, duke arritur në 13 lekë. Në 1 janar 2022 çmimi i energjisë u rrit serish, duke arritur në 34 lekë për kWh. Prej disa ditësh, fabrika është njoftuar nga kompania private e furnizimit të energjisë se tarifa e shërbimit për periudhën 3-mujore, nga 1 tetori 2022 deri më 31 dhjetor 2022, do të jetë 59,5 për kWh.

Ekspertë të sektorit të përpunimit të ushqimeve pohojnë se bizneset përpunuese nuk mund të përballojnë rritje çmimi më të lartë se 20% dhe nëse qeveria nuk merr masa për amortizimin e rritjes të çmimit do të ketë falimentime zinxhir të fabrikave përpunuese.

Një nga përfaqësuesit e kompanisë së përpunimit të mishit tha se një kompani me rritje të çmimit 7,5 herë më shumë rrezikon falimentimin. “Çfarëdo që të prodhojë një kompani shqiptare, edhe sikur flori të prodhojë me këtë çmim energjie kostoja e prodhimit është totalisht e papërballueshme. Fundi në këtë rast dihet si do të jetë. Mendoj se duhet që shteti të ndërhyjë, duke mos i penalizuar kompanitë industrisë ushqimore të lidhura me tension të lartë, pra t’i përfshijë për një periudhë të caktuar në çmimet preferenciale, siç po ndodh me bizneset e lidhura në TM”, thotë ai.

Sakaq në mbrojte të bizneseve nga rritja e çmimeve të energjisë ERE miratoi çmime preferenciale për 7,740 biznese të lidhur me TM 20,10 dhe 6 kilovat që për herë të parë dolën në tregun e lirë nga 1 janari 2022. Fillimisht u përcaktua që këto biznese do të mbrohen deri në qershor 2022 nga rritja e çmimeve, pas këtij afati situata u rivlerësua duke e shtyrë edhe me 6 muaj deri më 31 dhjetor 2022.

Aktorë të tregut thonë se nëse bizneseve prodhuese të lidhura me TM të mesëm iu rritet çmimi pas 31 dhjetorit 2022, 90% e tyre janë të falimentuara.

Ndërkohë bizneset e tjera që kanë dalë më herët në tregun e lirë po vazhdojnë të furnizohen me çmimet reale që rezultojnë nga ankandet të cilat janë dukshëm më të larta. Vitin e kaluar muaji me tarifat më të shtrenjta rezultoi nëntori 2021 me një tarifë 38.7 lekë/kWh ndërkohë që në dhjetor kishte një ulje të lehtë të këtij çmimi duke u stabilizuar në 31.7 lekë. Për këtë vit muajt më të shtrenjtë rezultojnë tetor-nëntor-dhjetor ku çmimi do të arrijë 59,5 lekë.

Në kahun tjetër si sektori i përpunimit të qumështit ashtu edhe i mishit vuan e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Fabrika e qumështit prej muajsh po përballen me çmime 40 deri 50% më të larta të furnizimit të furnizimit të qumështit nga fermeri për shkak të katërfishimit të çmimit të plehrave kimike dje lëndës ushqyese të kafshëve, të dyfishimit të plastikës dhe shtrenjtimit të karburantit.

Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni” Saimir Begaj thotë se në këtë situatë është e domosdoshme të ndërhyhet me uljen e TVSH të shitjes te produktet ushqimore nga 20 në 6%. Po ashtu në ndihmë të sektorit përpunuesit kërkojnë shtimin e subvencioneve për fermerin. Aktualisht skema kombëtare për blegtorinë mbështet fermerin me subvencione për krerë bagëtie.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4% krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%. Ndërsa importet e importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje rreth 43% më shumë se 2020.

/Monitor.al