Search

Rritet përdorimi i paneleve diellore lundruese në botë, kryeson SHBA

25 Janar, 2023


Instalimi paneleve diellore në çati dhe në tokë është rritur në shumë pjesë të botës. Por, ato mund të vendosen edhe në mjediset ujore.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, përdorimi i paneleve diellore lundruese po rritet në një shkallë të madhe në Azi dhe Evropë dhe tani po fillon të përdoret gjithnjë e më shumë edhe në Amerikën e Veriut.

Një nga prirjet më të reja në industrinë energjetike është prodhimi i energjisë elektrike të pastër përmes paneleve fotovoltaike lundruese, një proces që përfshin vendosjen e paneleve diellore në liqene dhe dete.

Projektet e paneleve diellore lundruese janë më tërheqëse nëse mund të instalohen në ujërat pranë hidrocentraleve me linja ekzistuese transmetimi, thotë Sika Gadzanku, studiuese në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Rinovueshme në Kolorado.

“Tani mund të pakësojmë varësinë tek hidrocentralet, duke përdorur më shumë energji fotovoltaike, të prodhuar nga panelet diellore lundruese, sidomos gjatë sezoneve të thatësirave”, thotë ajo.

Pesë mijë panele diellore janë ankoruar në një nga pellgjet ujore që përdoren për trajtimin e ujërave të zeza të qytetit Windsor në Kaliforni, thotë zyrtarja Deborah Fudge.

“Ato ofrojnë 90 për qind të energjisë që na nevojitet për të gjitha operacionet e trajtimit të ujërave të zeza, të gjitha operacionet në oborrin e korporatës sonë, si dhe për pompimin e ujërave të zeza në një fushë gjeotermike rreth 64 kilometra në veri”, thotë ajo.

Liqeni Smith në Virxhinia është një nga rreth 25,000 trupat ujorë në Shtetet e Bashkuara që qeveria i ka identifikuar si të përshtatshëm për instalimin e paneleve fotovoltaike. Panelet lundruese që mbulojnë një të katërtën e sipërfaqes së secilit prej këtyre trupave ujorë do të mund të plotësonin gati 10 për qind të nevojave energjetike të Amerikës.

/VOA