Search

Rritet importi dhe eksporti i rrymës në Maqedoninë e Veriut

02 Shkurt, 2023


Rritje të madhe të eksportit të rrymës prej mbi 180 milionë euro, por edhe të importit të rrymës dhe gazit në periudhën janar-nëntor 2022 tregojnë të dhënat më të reja statistikore në Maqedoninë e Veriut.

Bile në janar të këtij viti ky vend ka eksportuar 3.390 Megavat orë tepricë rryme të natës, përskaj sigurimit të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël me rrymë nga prodhimtaria vendore. Maqedonia në 11 muajt e parë të vitit ka importuar energji elektrike dhe gaz në vlerë prej afër 542 milion euro.

Kjo është për 336 milionë euro më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021 kur janë importuar 206 milion euro rrymë dhe gaz. Mirëpo, në të njëjtën periudhë janë eksportuar edhe energji elektrike në vlerë prej 182 milionë euro, që është për 146 milionë euro më shumë se në 11 muajt e parë të vitit 2021.

Mirëpo importi i madh i energjisë elektrike në një pjesë të madhe vjen si rezultat i transitit të rrymës në rritje përmes operatorit vendor të transmetimit të rrymës ”Mepso”, për nevojat e Greqisë gjatë muajve të verës, kur shteti fqinj jugor frekuentohet nga një numër I madh i turistëve ët huaj.

Të dhënat publike tregojnë se eksporti i serishëm apo transiti i energjisë elektrike përmes rrjetit transmetues të Maqedonisë për 11 muajt e parë të vitit të kaluar ka vlerën prej 183 milionë euro.

Rritja e vlerës së gazit të importuar si shumë e paguar, më shumë i detyrohet shtrenjtimit të madh në bursat botërore, si rrjedhojë e më shumë faktorëve përfshi edhe luftën në Ukrainë, turbulencat në ekonominë botërore etj.

Në ndërkohë nga ekzekutivi thonë se nga prodhimtaria vendore e energjisë elektrike po furnizohen amvisëritë dhe konsumatorët e tjerë. Nga atje shtojnë se për përballimin më të lehtë të krizës dhe zvogëlimin e lëvizjeve inflacioniste në çmimet e produkteve ushqimore bazë, Qeveria ka obliguar EEM-në që të sigurojë energji elektrike me çmime fikse dhe të subvencionuara, më të ulëta se çmimet e tregut.

”Para fundit të muajit janarit, dhe në kulimin e sezonit të ngrohjes, arritëm të plotësojmë 100 për qind të nevojave në tregun e rregulluar për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si dhe objektet e infrastrukturës jetike shtetërore. Sipas detyrimeve ligjore për vitin 2023, Elektro Ekonomia e Maqedonisë, ka obligim të furnizojë tregun e rregulluar me vetëm 50 për qind të energjisë elektrike të prodhuar nga objektet e tyre, por për të përballuar më lehtë krizën, Qeveria i ka dhënë obligim EEM-së që të rrisë prodhimin e saj dhe të furnizojë 100 për qind të tregut të rregulluar, pra amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël”, thotë bashkëpunëtori qeveritar për energji, Viktor Andonov.

Sipas tij, EEM në muajin janar plotësoi në tërësi nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël nga prodhimi i saj, ndërsa në pjesën më të madhe të muajit janë siguruar edhe furnizime shtesë për sektorët e synuar edhe nga vetë prodhimtaria vendore e rrymës pa realizuar blerje shtesë.

Ky është rezultat i përpjekjeve të Qeverisë për vënien në funksion të të gjitha kapaciteteve energjetike dhe pas një periudhe të gjatë kohore, të gjitha kapacitetet të disponueshme, përfshirë edhe Termocentralin e Negotinës, kanë qenë të përfshirë në rrjet gjatë muajit janar.

Njëherësh janë arritur synimet kryesore të vendosura nga qeveria si çmimi i energjisë elektrike për shumicën e familjeve nuk është rritur, ndërsa për konsumatorët e vegjël është ulur me rreth 20 për qind, ndërsa prodhimi vendor është në rritje dhe është stabilizuar në kushtet e Krizës energjetike evropiane, thekson Andonov.

Njëherësh kompetentët informojnë se në janar përskaj rritjes së prodhimtarisë dhe shitjes së tepricës së rrymës nga fillimi i vitit deri më 24 janar janë shitur 3.390 Megavat orë tepricë rryme të natës, prej të cilave me çmim prej 103 euro orë megavat orë janë shitur 1.140 Megavat, ndërsa me çmimin prej 98 euro janë shitur 2.540 Мegavat orë.

Kompetentët thonë se e sistemi elektro-energjetik në vend është stabil dhe funksional, ndërsa në periudhën e ardhshme për shkak të reshjeve të paralajmëruara të borës dhe motit më të ftohtë, situata do të monitorohet nga afër dhe do të merren masat e duhura, për të cilat opinioni do të informohet me kohë.

/koha