Search

PSD thotë se prishjet në KEK janë të qëllimshme, reagojnë KEK dhe KEDS

28 Dhjetor, 2021


KEK dhe KEDS kanë reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, i cili kishte thënë se kanë informacione nga burime Brenda KEK se rënia e bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm.

Molliqaj kishte thënë se dyshimet kryesore janë që kjo prishje është shkaktuar nga KEDS-i.

“Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5 brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj në konferencë për media.

Por të menjëhershme kanë qenë reagimet e KEK dhe KEDS.

KEK-u i quan shpifje deklarimet e Molliqajt, paralajmëron veprime ligjore

Nëpërmjet një komunikate në Facebook, KEK-u shkruan se për blloqet ka njoftuar më parë se ishin në operim, dhe se kanë rënë nga sistemi “si pasojë e problemeve të shkaktuara në rrjet nga faktorë jashtë KEK-ut”.

KEK i ka quajtur shpifje deklaratat e Dardan Molliqajt dhe kanë paralajmëruar veprime ligjore.

“KEK kishte pranuar shkresën zyrtare nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT, me datë 06.12.2021 ku jemi njoftuar edhe zyrtarisht se ishte identifikuar një problem teknik në pjesën e tyre ku pas një shpërthimi të izolimit të një izolatori e cila ka rezultuar me lidhje të shkurtër në sistem të zbarrave, ka ardhur deri te rënia e dy njësive prodhuese dhe se ekipet e tyre kishin riparuar prishjen dhe sistemi ishte në gjendje gatishmërie për punë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

KEDS: Me akuzat e Molliqajt do të merret zyra jonë ligjore, është absurd

Zëdhënësi për media në KEDS, Viktor Buzhala, ka thënë se janë duke u marrë me akuzat e hedhura nga kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka deklaruar se ky institucion i ka prishur qëllimisht blloqet A3 dhe A5.

Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se këto çështje do të sqarohen në sistemin e drejtësisë.

“Me konstatimet është duke u marrë zyra e jonë ligjore, ne nuk kemi kapacitete dhe as mundësi teknike që t’i rrëzojmë blloqet është konstatim absurd për më tepër do të merret zyra jone ligjore, do të sqarohen këto çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Buzhala.