Search

Projekti hibrid 170 megavatësh i energjisë së ripërtëritshme në Novobërdë merr pëlqimin mjedisor

28 Maj, 2021


Pas mbajtjes së diskutimit publik mbi të gjeturat e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis për projektin 170-megavatësh për prodhim të energjisë nga burimet solare dhe të erës në Novobërdë, Ministria e Mjedisit ka lëshuar pëlqimin mjedisor për realizimin e projektit.

Në dokumentin e siguruar nga Kosovo.Energy, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka shqyrtuar Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të dërguar nga kompania ‘Stubllaenergy’, dhe pas shqyrtimit ka vendosur të lëshojë vendim për pëlqim mjedisor për zhvillimin e këtij projekti.

Qytetarët dhe komuniteti u shprehën të kënaqur me projektin e ri të energjisë me erë dhe diell gjatë debatit publik në Novobërdë

Lexo më shumë

Bashkë me vendimin për pëlqim mjedisor, Ministria ka përpiluar edhe obligimet dhe detyrimet për kompaninë ‘Stubllaenergy’, që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit.

Projekti ka pranuar edhe informatat teknike për kyçje në rrjet të transmisionit

Përveç pëlqimit mjedisor, projekti 170-megavatësh në Novobërdë ka pranuar edhe ‘Informatë Teknike për Kyçje në Rrjet të Transmetimit’.

Sipas përshkrimit, informata teknike lëshohet nga ana e KOSTT pas pranimit të aplikacionit nga palikuesi, dhe jepë informacionin bazik të mundësisë teknike të kyçjës së burimeve gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme dhe të tjera në rrjetin e transmetimit.

‘Qëllimi i ofrimit të informatave teknike për palët është që përveç zbatueshmërisë së normave teknike obligative, të ofroj një pasqyrë të kërkesave teknike për infrastrukturë për të mundësuar kyçjen e burimeve të ripërtëritshme dhe burimeve tjera në rrjetin e transmetimit.

Paralajmërohet debati publik për projektin e ri 170-megavatësh të StubllaEnergy në Novobërdë

Lexo më shumë

Ndryshe, ky dokument është teknik, informative, dhe jo obligativ apo detyrues për KOSTT. Sipas procedurave, të gjitha projektet që mëtojnë kyçjen në rrjetin e transmetimit duhet nënshkruar marrëveshje të kyçjes me KOSTT.

Kompania planifikon vendosjen e 25 turbinave të erës me kapacitet 132 MWh dhe panele solare me kapacitet 38MWh

Projekti për prodhimin e energjisë elektrike nga era dhe dielli në Novobërdë po realizohet nga kompania Stubllaenergy.

Stubllaenergy ka planifikuar vendosjen 25 turbinave të erës me kapacitet të instaluar prej 132MWh. Përvec turbinave të erës, në kuadër të projektit do të vendosen edhe panele solare me kapacitet prej 38MWh.

Në total, dy projekte sjellin 170-megavat kapacitete të instaluara të prodhimit të rrymës nga burimet e ripërtëritshme. Në kuadër të projektit, Stubllaenergy do të ndërtojë edhe nënstacionin.

Përfaqësues të projektit kanë konfirmuar se do të vazhdojnë procedurat e autorizimit në Zyrën e Rregullatorit për Energji.