Search

Projekti GROW u ofron mbështetje bizneseve për investimet e tyre në energjinë e ripërtëritshme

06 Qershor, 2022


Me qëllim të paraqitjes së informacioneve rreth projektit GROW, asistencës teknike dhe mënyrës se si bizneset mund të përfitojnë nga dritarja e garancisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një ngjarje me temën Mundësitë e Financimit: Prezantim mbi GROW.

Blerta Begu nga GROW Kosovo tha se projekti synon të përshpejtojë dhe të ndihmojë potencialin që ka Kosova në fushën e investimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë, sepse megjithëse potenciali ekziston, aktualisht investimet janë të pakta.

Duke theksuar se në fokus të projektit janë investimet në panele solare dhe në panele solare fotovoltaike, Begu prezantoi disa nga përfitimet për bizneset, të cilat përfshijnë: uljen e kostos mujore të faturave të energjisë, kthimin e mirë të investimit, mbështetjen e ekonomisë lokale, rritjen e vlerës së pronës, avancimin e biznesit, përfshirjen e TVSH-së në çmimin e instalimit të sistemeve të PV-ve dhe rritjen e bazës së klientëve.

Për pjesën teknike foli eksperti teknik Pëllumb Gjinolli, i cili tha se gjatë planifikimit të energjisë solare, faktorët që duhet pasur kujdes janë: rrezatimi diellor, këndi i panelit diellor, lloji i panelit diellor, efikasiteti i panelit dhe efikasiteti i invertorit.

Gjinolli gjithashtu potencoi se grupet që GROW synon të ndihmojë janë: grupet e pavarura të energjisë, instalimet jashtë rrjetit, instalimet prapa njehsorëve, vetëprodhuesit e energjisë diellore dhe investimet në efiçiencë të energjisë.

Ndërsa, sipas Arian Lilës nga GROW Kosovo, disa nga përfitimet financiare janë: evitimi i ndikimit në rrjedhat e parasë së bizneseve, fleksibiliteti për kredit limit dhe periudha e kthimit në investim. Gjithashtu, ai shtoi se, duke pasur parasysh që herët ose vonë do të bëhet një treg i hapur për energji elektrike, e gjithashtu se në vitin 2026 pritet të vendoset taksa e karbonit në BE, investimet e tilla do të ishin shumë të favorshme për bizneset.