Search

Prodhuesi kroat i supermakinave Rimac merr 500 milionë euro nga investitorët

02 Qershor, 2022


Rimac Group ka arritur të mbledhë 500 milion euro nga investitorët që përfshijnë SoftBank Vision Fund 2, një biznes me kapital privat brenda Goldman Sachs Asset Management, Porsche’n dhe InvestIndustrial, që të gjitha tani zyrarisht aksionerë të Rimac.

Vlera e Rimac Group tani vlerësohet në mbi 2 miliardë euro, tha kompania, ndërsa vetëm Porsche zotëron rreth 20% të aksioneve.

Mbledhja e investimeve është bërë me qëllim të zgjerimit të prodhimit të automjeteve elektrike me performancë të lartë.

Kryeshefi ekzekutiv i Rimac ka thënë se kompania ka plane shumë ambicioze për vitet në vijim.

“Ndërsa ne synojmë të zgjerojmë grupin, të krijojmë procese të reja prodhimi për të përmbushur kërkesën globale të veturave, të rekrutojmë 700 ekspertë dhe punëtor të rinj në 2022, të hapim zyra të reja në disa vende, dhe të zgjerojmë objektet tona të reja të prodhimit, mbështetja nga investitorët do të jetë një udhërrëfyes për ne”, shtoi ai.

Ndryshe, të vendosur në Kroaci, Rimac shumë shpejt ka arritur të vlerësohet si një ndër partnerët kryesor të teknologjive të veturave elektrike. Kompania ka thënë se do të sjellë në treg tipin e ri të makinës elektrike më 1 qershor dhe se do të investojë 200 milion euro në ndërtimin e një kampusi që do të ketë mjaftueshëm vend për 2,500 të punësuar.