Search

Përjashtohet mundësia e ndërtimit të kapaciteteve të reja me thëngjill

01 Qershor, 2022


Rezervat e thëngjillit që ka Kosova s’do të përdoren në ndonjë bllok të ri në termocentralet ekzistuese e as në ndonjë termocentral të ri.

Ministria e Ekonomisë e ka përjashtuar mundësinë e ndërtimit të kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë nga thëngjilli.

“Jo, nuk do të ketë shtim të blloqeve në termocentralet ekzistuese apo ndërtim të kapaciteteve të reja me thëngjill, pasi Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në transicionin drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050. Në të njëjtën kohë, duke ruajtur sigurinë e furnizimit pjesërisht përmes rehabilitimit të blloqeve ekzistuese, të cilat do të shërbejnë si rezerva strategjike”, ka thënë Zyra për media e ME-së.

Hapat e parë drejt dekarbonizimit janë paraparë në draft-strategjinë për energjinë, e cila këtë javë pritet të dalë në konsultime publike.

Hartimi i strategjisë është vonuar. Qeveria kishte premtuar se ajo do të miratohej në Kuvend në mars.

Arsyet e vonesës së finalizimit të saj, sipas Ministrisë, janë analizat e thella që janë bërë.

Qeveria ka synim shtimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë e nuk përjashtohet as përdorimi i gazit.

“Strategjia është një dokument dhjetëvjeçar që paraqet vizionin dhe objektivat afatgjata. Kurse sa i përket gazit, ai mbetet ende si opsion i hapur rreth të cilit aktualisht janë duke u zhvilluar dy studime/analiza. Kapacitetet e burimeve të ripërtërishme të energjisë në prodhimin e energjisë elektrike pritet që të arrijnë kuotën rreth 1400 MW (700 MW të diellit dhe 700 MW të erës) deri në 2031”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas një raporti të institutit “Musine Kokolari”, kostoja në shëndet e energjisë nga thëngjilli është rreth 11 milionë euro. Nga ky institut kërkojnë investime në zvogëlim të këtyre dëmeve.

“Intervenim i shpejtë që duhet bërë është në përditësimin e disa teknologjive në rrjet, pasi 1/3 e energjisë që prodhohet humb shkaku i rrjetit të dobët. Pra, në vend që të orientohemi në disa investime kapitale, të cilat nuk janë urgjencë kombëtare, mund të presin 10 vjet, duhet t’i bëjmë disa intervenime që po kanë direkt ndikim në shëndetin tonë”, ka thënë Marigonë Dervinja, drejtoreshë e programit në institutin “Musine Kokalari”.

Aktualisht në Kosovë prodhohen 277 megavate energji elektrike nga burimet e ripërtërishme, prej të cilave 137 megavate energji të erës, 10 megavate energji e diellit dhe 130 nga hidrocentralet.

Pesë objektivat që janë vendosur në draft-strategjinë për energjinë janë: përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit elektroenergjetik; dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtërishme; rritja e efiçiencës së energjisë; forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe funksionimi i tregut; si dhe mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve.

//Koha.net