Search

Osmani: Numër i lartë i vdekjeve nga sëmundjet si pasojë e ajrit të ndotur

12 Gusht, 2020


Osmani bashkë me deputetët ka qëndruar në Mitrovicë për të diskutuar edhe me të rinjtë atje për çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit. Osmani bashkë me deputetët dhe kryetarin Bahtiri, vizituan edhe liqenin artificial, ku Osmani ka folur rreth rëndësisë që ka mjedisi për shëndetin e qytetarëve.

Sipas Osmanit, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit nuk është luks, ashtu siç nuk është luks as shëndeti.

“Është mirë që të mos flasim për ambientin vetëm një ditë në vit, kur kemi Ditën e Tokës ose një javë në vit, por të flasim çdo ditë sepse në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të ambientit të ndotur, për shkak të sëmundjeve që shkaktohen qoftë nga ajri i ndotur, qoftë qasja në ujë të pastër është numër i madh. Prandaj, duhet të fillojmë të flasim… Kemi ardhur në Mitrovicë për shumë arsyeje sepse ka pas shumë qytetarë që na kanë ftuar dhe për shkak se e dimë të kaluarën industriale të Mitrovicës e cila ka qenë edhe e lavdishme, por në anën tjetër ka lënë pasoja të mëdha në ambientin që jemi rritur shumë prej nesh dhe e treta për të shprehur përkrahjen tonë të plotë për Mitrovicën që të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që çështjen e ambientit ta rregullojmë shumë më mirë që ka qenë”, tha Osmani.

Diskutimin për ambientin e ka vlerësuar edhe i pari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, derisa ka shtuar se për mjedisin duhet diskutuar në të gjitha institucionet vendit.

“Ne si komunë jemi munduar të bëjmë diçka të re në Mitrovicë. Ne kemi katër lumenj, dy jemi duke i pastruar rregullisht dhe dy lumenj siç është Sitnica dhe Ibri jemi duke i rregulluar, duke e ruajtur ambientin por duke bërë edhe gjelbërime të mjaftueshme në dy anët e lumit, por edhe në lumin Sitnica që është duke u punuar dhe do të përfundoj në vitin e ardhshëm dhe ky projekti që do të lidhet nga kjo që shohim nga Liqeni Akumulues do të vazhdoj deri te ura e Ibrit dhe do të bashkoj deri te bashkimi i Lumit Ibër me Sitnicën ku do të jenë edhe shëtitore edhe pjesë dekorues të qytetit që sigurisht do të ketë edhe pjesë të gjelbëruara”, tregoi Bahtiri.

Ndërsa, deputeti i kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, para të pranishmëve është shprehur se Kuvendi bën më shumë se sa Qeveria për mbrojtjen e mjedisit.

Çeku ka shpjeguar rëndësinë e mjedisit në jetën e qytetarëve, për çka ka thënë se këta të fundit duhet t’i ndëshkojnë kandidatët deputetë dhe ata për komuna nëse nuk e kanë mjedisin në agjendën e tyre.

“Vetëm kur mjedisin e fusim në gjithçka atëherë mundemi me i mbërri efektet që i dëshirojmë. Në vendet ku mjedisi është i integruar kështu, zakonisht deri në atë moment ka ardhur në dy forma, nga lart dhe poshtë. Nga lartë është kjo që e kemi sot një kryetare të kuvendit e cila është pavetëdije mjedisore të ngritur dhe atë vetëdije e sjellë në vendimmarrje të institucionit që udhëheq. Por duhet të vijë edhe nga poshtë. Nga poshtë duhet të vijë kur qytetarët nuk votojnë asnjë kandidat për deputetë që nuk kanë mjedisin si argument qendror kur garon, kur ata nuk votojnë asnjë kandidat për kryetar komune nëse nuk ka agjendë mjedisore brenda agjendës zhvillimore të qeverisjes urbane të qytetit, prandaj kjo është beteja e ardhshme që duhet ta bëjmë bashkë”, tha Çeku.

E deputeti Haxhi Avdyli, ka thënë se duhet të dihet se çdo ndërhyrje në ambient është ndërhyrje dhe në shëndetësi. Avdyli theksoi se për 20 vjet ambienti në Kosovë ka pasur degradim.

“Duhet ta dimë së shëndetësia dhe ambienti janë një, çdo ndërhyrje në ambient është edhe ndërhyrje në shëndet. Ambienti i Kosovës në 20 vitet e fundit ka pësuar degradim, normalisht zhvillim ekonomik, infrastrukturor i Kosovës ka qenë i mirë por kjo domosdoshmërish në mënyrë indirekte ka cenuar ambientin. Normalisht kemi një Kosovë e cila tani menaxhimin e mbeturinave nuk e ka siç e kanë shtetet evropiane, por shpresoj që në të ardhmen të punohet për riciklimin e mbeturinave, kemi edhe degradimin tokave ku bëhen ndërtime por kemi edhe degradim të ujërave dhe lumenjve. Ne kemi iniciuar formimin e një komisioni hetimor për menaxhimin e lumenjve dhe kryesisht për ndërtime e hidrocentraleve pa kriter duke futur ujëra e natyrës nëpër gypa për të gjeneruar rrymë”, tha Avdyli.

Ndërsa, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, tha se kur luftohet për mjedisin atëherë duhet të kuptohet si luftë për të mbrojtur shëndetin dhe fëmijët.

“Ndihem e nderuar të jem me ju pikërisht në Mitrovicë dhe afër një liqeni artificial për të cilin sa isha ministre e Mjedisit kam kontribuuar dhe ndihem krenar që jam me ju dhe po flasim për probleme mjedisore. Është kënaqësi kur krerët institucionalë janë të vetëdijshëm për rendësin që ka mjedisi dhe trajtimi i problemeve mjedisore duke pas parasysh ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie dhe cilësinë qytetarëve. Ne e dimë që Mitrovica në zhvillimet e saj politike dhe ekonomike ka pas gjithmonë probleme por ato janë involvuar dhe kanë pas impakt edhe në mjedis. Nëse flasim për mjedisin, nëse luftojmë për ta mbrojtur mjedisin, ne po luftojmë për ta mbrojtur shëndetin tonë, fëmijëve tanë dhe gjeneratave”, tha Reshitaj.

Vizita e kryetares Osmani në Mitrovicë hyn në kuadër te “Vizitat e gjelbra nëpër komunat e Kosovës”. Para vizitës së komunës së Mitrovicës, Osmani kishte vizituar edhe komunën e Obiliqit.