Search

Nuk ka rritje të rrymës për komunat në veri, KEDS bëri kërkesën për ndryshim të strukturës tarifore

25 Janar, 2022


Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë se komunat veriore me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e ZRRE për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Kështu tha kryesuesi i ZRRE-së gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

Sipas Fejzullahut, raporti nuk përfshin katër komunat për shkak të procesit gjyqësor që ZRRE-ja është duke zhvilluar në lidhje me konsumin e rrymës në atë pjesë.

Gjatë raportimit, Fejzullahu ka konfirmuar se KEDS-i ia ka borxh mbi 50 milionë euro KEK-ut.

“Prej shtatorit e deri tani KESCO nuk i ka paguar faturat e KEK-ut për energjinë që e ka marrë. Është arsyetuar për shkak të mungesës së mjeteve për kryerjen e këtyre pagesave. Gjatë muajit dhjetor, kosto shtesë që kanë qenë pothuajse edhe në bazë të raportit tonë, ata kanë kërkuar çmim diku rreth 150 euro për megavat, ne e kemi ndalë në 90 euro për megavat, mirëpo as vlerësimi ynë as vlerësimi i KESCO-s, na ka befasu të gjithëve meqenëse ka shkuar deri në 500 euro për megavat. Mund të jetë mbi 50 milionë euro borxhi që KESCO bashkë me KEDS-in ia kanë KEK-ut”, ka thënë Fejzullahu.

Ndryshe, Fejzullahu gjithashtu ka konfirmuar se KEDS është i vetmi operator që ka kërkuar ndryshimin e strukturës tarifore.

“Edhe me tarifat ekzistuese janë një kategori e konsumatorëve të cilët e kanë të vështirë ta përballin faturën. I vetmi institucion që ka kërkuar dhe është pajtuar me ndryshimin e strukturës tarifore është KEDS-i”, ka thënë Fejzullahu.

Ai ka thënë se maksimumi i kapaciteteve vendore për t’i shërbyer konsumatorët me energji elektrike është 600 kWh.

“Maksimumi i kapaciteteve vendore për të shërbyer është 600 kËh orë për muaj. Në bazë të këtij vlerësimi kemi propozuar edhe pragun për 600 kë orë për konsumatorët. Pjesa tjetër duhet të importohet, ajo që duhet të importohet duhet të reflektohet edhe kostoja që është 5-6 fish më shtrenjtë. 70 për qind e konsumatorëve nuk konsumojnë energji për ngrohje, për këtë arsye kemi thënë që ky është pragu ndërmjet energjisë që prodhohet në vend dhe asaj qe duhet të importohet. 30 për qind e konsumatorëve shkojnë më lartë dhe sigurisht nuk kanë alternativë tjetër prandaj duhet të ngrihen me energji. Është e padrejtë që t’i alokohet ajo kosto kësaj kategorie të konsumatorëve”, është shprehur Fejzullahu.

Sipas tij, në kohën kur Kosova kishte kapacitete të kufizuara për prodhimin e energjisë elektrike, ishte i pakuptimtë edhe ndryshimi i strukturës tarifore meqenëse siç ka thënë, ajo e nxit konsumin.

Ndryshe, ZRRE ka hapur periudhën konsultative për tarifat dhe strukturën tarifore të energjisë elektrike. Periudha konsultative është e hapur deri më 28 janar.

ZRRE ka publikuar dy raporte të ndryshme për të cilat pret komente nga të gjithë të interesuarit.

Përplasje në mes kryetarit të ZRrE-së dhe deputetit të PDK-së për shtrenjtim të rrymës

E gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kryetari i këtij komisioni ka kritikuar ZRRE-në, duke thënë se raportet ishin të ndikuara nga qeveria.

Deputeti Shala ka pyetur po ashtu se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

Pas kësaj, Fejzullahu ka thënë se autor janë ZRRE-ja dhe bordi i saj është përgjegjës.

Duke mohuar se ka ndërhyrje nga qeveria me subvencione në ZRRE, pasi sipas tij mbështetje ka pasur edhe nga qeveritë e kaluara.

Fejzullahu ka folur edhe për rritjen e shpenzimit të energjisë, i cili tha se gjatë dhjetorit ka pasur konsum të lartë deri në 1400 MËh.

Sipas Fejzullahut 30 për qind e konsumatorëve janë të detyruar të ngrohen me energji.