Search

Një nga dy termocentralet e fundit me qymyr në Britani do të mbyllet më 2022

24 Mars, 2021


Një nga dy termocentralet e fundit me qymyr në Britani të Madhe do të mbyllet në vitin 2022, kanë thënë pronarët e termocentralit.

EDF ka thënë se termocentrali ‘West Burton A’ në Nottinghamshire do të dekomisionohet në shtator të vitit 2022.

Pas këtij dekomisionimi, termocentrali me qymyr Ratcliffe-on-Soar do jetë termocentrali i vetëm me qymyr që do të vazhdojë operimin në Britani. Edhe ky termocentral gjendet në Nottinghamshire.

Në kuadër të përpjekjeve për t’u ballafaquar me ndryshimet klimatike, qeveria britaneze ka thënë se planifikon të mbyllë të gjitha termocentralet me qymyr deri në tetor të vitit 2025.

EDF ka thënë se dy njësi nga katër sa ishin në termocentralin që po mbyllet West Burton A do të vazhdojnë operimin për 18 muaj për të përmbushur zotimet nën ‘tregun e kapacitetit’, që mbanë termocentralet aktive për të mundësuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Termocentrali West Burton A është hapur në vitin 1966 dhe prodhon mjaftueshëm energji elektrike për rreth 3.7 milion amvisëri në Britani. Në disa raste termocentrali ka punësuar deri në 750 persona ndërsa për momentin vetëm 170 prej tyre vazhdojnë të jenë të angazhuar.

‘West Burton A dhe të punësuarit në këtë termocentral kanë luajtur një ndër rolet më të rëndësishme në furnizimin e shtëpive me energji elektrike në Britani për 55 vite’, ka thënë Matt Sykes, Kryeshef Ekzekutiv në EDF.

EDF ka njoftuar se ka kohë që ka filluar diskutimin me sindikatat e punëtorëve dhe të punësuarit për t’u përgatitur për të ardhmen e termocentralit dhe për të ndihmuar ata të vazhdojnë punësimin edhe pas dekomisionimit të termocentralit.