Search

Ndërtimi i rrjetit të ri elektrik në disa fshatra të Deçanit

18 Gusht, 2021


Një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e disa fshatrave të Deçanit është duke u ndërtuar këto ditë nga punëtorët e KEDS, me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të kahmotshme me energji elektrike për vendasit e këtyre fshatrave.

Bëhet fjalë për ndërtimin e afër 5 kilometra rrjet të ri elektrik, saktësisht nga fshati Isniq deri në fshatin Ratish të kësaj komune.

Largpërçuesi i Lumbardhit ka qenë një nga më problematikët në komunë e Deçanit, me rënie të shpeshtë si dhe me ndërprerje të furnizimit si pasojë e faktorëve atmosferikë.

Ndërsa me përfundimin e këtyre investimeve që po bëhen nga KEDS, do t’i jipet fund ndërprerjes së energjisë elektrike si dhe problemeve tjera të lidhura me rrjet, njëherë e mirë.

Në bazë të planifikimeve, puna do të përfundojë brenda një muaji, në mënyrë që kur afrohen stinët e ftohta, ky projekt t’i gjejë konsumatorët e përgatitur sa i përket aspektit të energjisë elektrike.

Përmes këtij projekti do të përfitojnë mbi 5 mijë qytetarë të kësaj ane, përderisa investimet nga KEDS vazhdojnë edhe në fshatra të tjerë të komunës së Deçanit.

Këtë projekt e kanë mirëpritur edhe banorët e asaj ane, për të cilin ka folur kryeplaku i fshatit Ratish, Asllan Hasani. Ai shprehu rëndësinë e këtij projekti për banorët e asaj ane, duke na falënderuar që kemi marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve që ata i kanë pasur me energji elektrike. Z. Asllan theksoi:

Ne i falënderojmë të gjithë ata që na kanë ndihmuar dhe na kanë përkrahur në këtë projekt….Është një projekt që vlen shumë për banorët e këtij vendi, ne kemi heq keq gjatë kohës së keqe rryma gjithë është ndalur, ne kemi pasur problem me rrymë, mirëpo tash besoj nuk kemi me pas problem, përfundoi Hasani.

KEDS është duke investuar në rrjet elektrik edhe në shumë vende tjera të Kosovës, në mënyrë që konsumatorët tanë të jenë sa më të kënaqur me cilësinë e shërbimeve tona.

Për më shumë informata, shikoni videon këtu.