Search

Mungesë thëngjilli: Pas Kinës, edhe India buzë krizës energjetike

13 Tetor, 2021


India po përballet me një krizë energjetike në ardhje, pasi rezervat e thëngjillit në termocentrale kanë rënë në nivele të pashembullta dhe disa rajone po paralajmërojnë ndërprerje të rrymës.

Shtetet indiane kanë lëshuar paralajmërime paniku se furnizimet me thëngjill në termocentrale janë duke rënë në nivel të rrezikshëm, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Qendror i Energjisë në Indi, rreth 80 për qind e termocentraleve me thëngjill në vend janë në fazë kritike ose “super kritike”, që do të thotë se rezervat e tyre mund të harxhohen brenda më pak se pesë ditëve.

Shefi i ministrave në kryeqytetin indian, Arvind Kejriwal, i shkroi kryeministrit Narendra Modi në fundjavë, duke thënë se Neë Delhi mund të përballet me terr, nëse termocentralet nuk furnizohen me më shumë thëngjill.

Rajonet si Rajasthan, Jharkhand dhe Bihar janë duke u përballur me ndërprerje të rrymës që po zgjasin deri në 14 orë.

Maharashtra i mbylli 13 termocentrale dhe u bëri thirrje njerëzve që ta kursejnë energjinë elektrike, ndërsa tri termocentrale në Punjab e ndërprenë prodhimin. Ndërprerjet e planifikuara të rrymës në Punjab, që po zgjasin deri në gjashtë orë, kanë nxitur protesta.

Për krizën e nxjerrjes së thëngjillit janë fajësuar edhe reshjet e dendura të stinës, të cilat kanë shkaktuar vërshime. Edhe pse kjo ndodh çdo vit, zakonisht importohet më shumë thëngjill për t’i plotësuar mungesat, por për shkak të krizës energjetike globale dhe rritjes së çmimeve, për Indinë ka qenë më sfidues edhe importimi i thëngjillit, duke sjellë mungesë më të madhe se zakonisht.